Oligarku i “Call Centerave” ERMAL PETI me bilance minimale, me qindarka bën fshatra turistikë dhe hap firma ndërtimi

15 Tetor 2025, 22:00Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një individ, me një të kaluar të dyshimtë dhe me të ardhura minimale të ligjshme, po bëhet ngadalë një nga oligarkët më të rinj. Bëhet fjalë për 38-vjeçarin Ermal Peti, një emër i panjohur deri dje, ndërkohë që së fundmi emri i tij po përflitet në “Call Centera”, ndërtime apo edhe në lokale nate.

Megjithëse të ardhurat e tij të ligjshme në vitin 2024 ishin rreth 5 mijë euro, ai arriti që një vit më pas të hapë një firmë të madhe ndërtimi, të fitojë një pronë publike në zonën e shumë preferuar të Saukut si dhe të vijojë biznesin e lokaleve të natës.

Organet ligjzbatuese dhe ato kontrolluese kanë filluar menjëherë verifikimin, nën dyshimin e fortë se kemi të bëjmë me një rast të pastrimit të parave. Kjo është një skemë që përdoret rëndom në Shqipëri, ku personat pa të ardhura të ligjshme hyjnë fuqishëm në të gjithë sektorët, duke synuar të kapin “majat” menjëherë.

Oligarku i “Call Centerave” ERMAL PETI me bilance minimale, me
Faksimile: Bilanci i firmës Ava Club, një nga firmat që Ermal Peti është bashkëpronar

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, oligarku Ermal Peti ka të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 3 kompani. Një me emrin e tij, person fizik Ermal Peti, të cilën e zotëron 100 %. E dyta është shoqëria “Ava Club” shpk, një shoqëri aksionere. Ermal Peti ka 34 % të aksioneve, 33 % i ka vëllai i tij Floriand Peti dhe 33 të tjera i ka Znj. Jonida Liçaj.

VoxNews ka hulumtuar edhe bilancet e kësaj kompanie, e cila është një klub nate, ku janë ndërruar shpeshherë administratorët, pas një mori problemesh që kanë pasur me drejtësinë. Disa muaj më parë “Ava Club” ka publikuar bilancet e vitit 2024, ku tre aksionerët dhe pronarët miratuam pasqyrat financiare. “Rezultati neto, pas zbritjes së tatim fitimit, i shoqërisë për vitin 2024, është me fitim në shumën 1.481.601 lekë” thuhet në këtë dokument.

Nëse këtë shumë do ta pjesëtosh në 3, që janë edhe aksionerët, rezulton se fitimi për secilin është rreth 5 mijë euro. Megjithatë, kompania shkruan se nuk ka shpërndarë divident dhe 5 mijë euroshi i Ermal Petit do të qëndrojë në llogaritë e “Ava Club”.

Oligarku i “Call Centerave” ERMAL PETI me bilance minimale, me
Faksimile: Në fund të vitit 2024, Ermal Peti themeloi firmën e ndërtimit “Nikea Construction”

Por, çfarë bëri Ermal Peti me 5 mijë euro? Dokumentet që ka hulumtuar VoxNews tregojnë se në muajin dhejtor 2024, ai ka themeluar firmën “Nikea Construction”. Firma ka si adresë qytetin e Tiranës, në rrugën e Elbasanit te Park Gate, në katin e tretë. Objekti i firmës është projektimi dhe ndërtimi i objekteve civile dhe industriale, si dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve të kësaj natyre për vete dhe për të tretë.

“Shitja e objekteve, njësive të ndërtuara si investitor dhe ose subjekt ndërtues dhe/ose dhënia e tyre me qira. Aktivitet në fushën e ndërtimeve civile, objekte shërbimi dhe banimi, rrugë, ura, porte, trase hekurudhore, terminale, hidrocentrale, veprave bonifikuese si dhe parkimeve nëntokësore”, shkruhet në dokument.

Duket se Ermal Peti po bëhet gati që të fitojë tendera apo të shpallet në të ardhmen një investitor strategjik. Firma ka si subjekt edhe studim, projektim i ndërtimeve të ndërtesave publike, rrugëve, urave e tuneleve.

Ermali ka në mendje të bëjë edhe qendra tregtare, pasi ka shkruar në objekt se do të menaxhojë edhe qendra të biznesit, qendra tregtare. Synon edhe menaxhimin e aeroporteve apo porteve, madje edhe investimin dhe menaxhimin e projekteve koncesionare. Ai synon edhe PPP-të e famshme, të cilat synon që t’i marrë në të ardhmen.

Oligarku i “Call Centerave” ERMAL PETI me bilance minimale, me

Oligarku i “Call Centerave” ERMAL PETI me bilance minimale, me
Faksimile: Leja e KKT-së për fshatin turistik me vila dhe pishina në Sauk në emër të Ermal Petit

Kompania u hap në muajin dhjetor 2024, ndërkohë në muajin qershor 2025, vetë Ermal Peti ka aplikuar pranë Këshillit Kombëtar të Territorit për ndërtimin e një fshati turistik. Me qindarkat e klubit të natës, Peti arriti të marrë një leje për ndërtimin e vilave me pishina në Sauk.

Ka dyshime të forta se paratë e fituara nga aktivitete të paligjshme, siç janë Call Centerat, apo të ardhura të tjera tepër të diskutueshme, po investohen në ndërtime, njësoj siç veprojnë edhe individë të tjerë, disa të hetuar nga SPAK-u apo edhe nga Prokuroria e Tiranës.

VoxNews ka mësuar se KKT ka muratuar lejen e ndërtimit për objektin “banesa individuale me 1, 2 dhe 3 kate mbi tokë dhe 1-2 kat nëntokë, me pishinë dhe mur rrethues”, me vendndodhje në Sauk, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues z.Ermal Peti.

Një rritje galopante e 38-vjeçarit, i cili duket se ka krijuar një rrjet të gjerë, madje edhe në radhët e institucioneve ligjzbatuese. Aktiviteti i Call Centerave apo edhe lidhjet që mund të ketë Peti në radhët e Policisë apo të Prokurorisë janë një dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme.

VoxNews ka mësuar se Peti ka lajmëruar “bashkëpunëtorët” e tij në radhët e organeve të drejtësisë për një tentativë gjobëvënie. Pas kësaj tentative dhe informacioni që ka marrë, 38-vjeçari është larguar nga Shqipëria. Informacionet flasin se ai është zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në Dubai.

Pavarësisht se nuk është fizikisht, Peti ka shtuar pasurinë në Shqipëri, pasi zotëron vila, apartamente, toka apo edhe synon që të ndërtojë resorte. Madje, ka në përdorim makina luksoze, ndërsa asnjë nga agjencitë ligjzatuese s’ka vepruar. Dyshimet janë se Peti merret me mashtrime me pasoja të rënda ndaj qytetarëve evropianë, ndërkohë që baza e tij sa vjen e shtohet, por gjithmonë me para jo të ligjshme.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video