Shpallet fituesi dhe vijon çmenduria, ja kush do ta ndërtojë “resortin” e Tan Agollit në Sarandë!

26 Shtator 2025, 21:32Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Dritan Agolli vijon çmenduritë e tij, në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke ndërtuar resorte në gjithë Shqipërinë me paratë e buxhetit të shtetit. VoxNews ka denoncuar në vijimësi projektet kontroverse të FSHZH-së, e cila tashmë po vepron njësoj si oligarkët apo investitorët strategjikë.

Jo më larg se dy ditë më parë, redaksia jonë publikoi projektin e Agollit në kodrat e Divjakës, një resort me vlerë 4.6 milionë euro, ku parashikohen të bëhet hotel, restorant, bar dhe pishinë. Investimi është nga buxheti i shtetit dhe s’ka asnjë informacion se kush do ta menaxhojë.

Ndërkohë, VoxNews denoncoi në muajin shkurt të këtij viti projektin e Fondit për tjetërsimin e ish-vilës qeveritare në Sarandë. Një pronë gjigante shtetërore, e cila do të kthehet nga Agolli në një resort luksoz, me të gjitha parametrat e një hoteli me 5 yje, ku do të ndërtohen dhoma luksoze, restorante elitare, bare si dhe një pishinë.

Çmenduria e Agollit vijoi dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fituesin ditët e fundit.

Shpallet fituesi dhe vijon çmenduria, ja kush do ta ndërtojë
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për “resortin” e FSHZH-së në Sarandë

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, FSHZH ka shpallur në datën 23 shtator 2025 fituesin e kësaj procedure, ku janë dy firma që do ta ndërtojnë resortin. E para është MF Invest Group, e cila ka 49.18 % dhe e dyta është “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” e cila do të ketë 50.82 % m.

Këto firma u shpallën fituese të marrëveshjes kuadër “Poli i zhvillimit turistik në Sarandë” faza 2, e cila bën fjalë kontratë me çelësa në dorë. Fondi limit ka qenë 332 milionë lekë pa TVSH. Këto firma ofruan 235 milionë lekë, ndërkohë që në garë ka pasur edhe firma që kanë ofruar më pak sesa fituesi, siç është rasti i BOE Fled dhe Shkëlqimi 07 që ofruan 228 milionë apo Lis Konstruksion që ofroi 226 milionë.

Siç ndodh rëndom në të gjitha tenderët, ata që ofrojnë më pak skualifikohen me arsye nga më të ndryshmet, ku firma e parë u skualifikua se “s’kishte siguri në kantier”. Ndërkohë e dyta kishte gabimi aritmetike!

Shpallet fituesi dhe vijon çmenduria, ja kush do ta ndërtojë

Shpallet fituesi dhe vijon çmenduria, ja kush do ta ndërtojë
Në foto: Projekti luksoz që do të ndërtohet në Sarandë i ngjason më shumë një hoteli me 5 yje

VoxNews ka denoncuar edhe në të kaluarën këtë projekt tepër të dyshimtë, ku me paratë e buxhetit do të ndërtohet një resort me 5 yje. Në vend që këto para të shkonin për shërbime publike apo infrastrukturë, shteti mendon ndryshe dhe ka luksin të shpenzojë miliona euro për projekte që vetëm sa pasurojnë disa individë, kryesisht ata që kanë lidhje me mazhorancës që pritet t’i marrin në mbikëqyrje.

Kreu i FSHZH-së tani vepron njësoj si edhe oligarkët, ku në një sipërfaqe prej 3 hektarësh pronë shtetërore, “ndërtuesi” Agolli do të ndërtojë restorant dhe hotel luksoz me paratë e shtetit. 

“Në këtë zonë ndodhet një vilë e cila kishte përdorim gjatë periudhës komuniste. Vila qeveritare e ndodhur në ‘Kodrën e Gjashtës’ në Sarandë përfaqëson një nga ndërtimet më të rëndësishme të periudhës socialiste në Shqipëri”, thuhet në këto dokumente.

FSHZH shkruan se zona nuk është e sistemuar plotësisht dhe ka nevojë për një sistemim total përsa i përket aksesit në zonë. “Projekti synon të rigjallërojë asetet e degraduara përmes ndërhyrjeve të qëndrueshme, duke ofruar një platformë për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe promovimin e vlerave unike të rajonit” vijon dokumenti.

Shpallet fituesi dhe vijon çmenduria, ja kush do ta ndërtojë

Shpallet fituesi dhe vijon çmenduria, ja kush do ta ndërtojë
Në foto: Projekti luksoz që do të ndërtohet në Sarandë i ngjason më shumë një hoteli me 5 yje

Agolli i ka idetë e qarta, pasi në atë zonë ai ka synimin që ta kthejë në një zonë private, duke ndërtuar hotel dhe restorant tepër luksoz. Në nivelin dy shkruhet se do të bëhet një objekt qeveritar, restorant dhe hotel.

“Do të ketë funksionalitet i objektit qeveritar. Restorant i integruar në terren. Hotel si rezidencë për artistët dhe vizitorët e zonës. Në nivelin 2 të projektit, fokusi është vendosur në zhvillimin e funksioneve të ndryshme kulturore, sociale, dhe akomoduese, të cilat krijojnë një ekosistem të integruar shërbimesh dhe aktivitetesh. Ky nivel është konceptuar për të qenë një qendër dinamike që mbështet krijimtarinë, kulturën dhe ndërveprimin social, duke kombinuar hapësira të brendshme dhe të jashtme të menduara me kujdes”, thuhet në dokumente.

Në këtë zonë do të ndërtohet një strukturë akomoduese me konceptin e apart-hotelit, e cila do të funksionojë si rezidencë për artistët, nomadët digjitalë, studentët dhe turistët. “Hapësirat e saj do të jenë të disponueshme gjatë gjithë vitit dhe do të përfshijnë zona të veçanta për aktivitete dhe shërbime outdoor, duke mundësuar relaksim dhe frymëzim kreativ në një ambient unik”, shkruan Fondi.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video