DOKUMENTI SKANDALOZ/ Oltion Çaçi bën ankand fiktiv për t’i falur Buzit dhe Xhindolit 60 hektarë në Nivicë!

15 September 2025, 18:04Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
DOKUMENTI SKANDALOZ/ Oltion Çaçi bën ankand fiktiv për
Oltion Çaçi bën ankand fiktiv për t’i falur Buzit dhe Xhindolit 60 hektarë në Nivicë

Në muajin korrik 2025, banorët e fshatrave Nivicë në Sarandë “pushtuan” mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës. E gjithë protesta ndodhi për shkak se ata ishin kundër dhe nuk ishin pyetur për nismën e bashkisë dhe qeverisë për t’i falur dy biznesmenëve plot 60 hektarë për të bërë një park fotovoltaik.

Leja është dhënë fillimisht nga ministritë e linjës dhe do të duhej “leja” e pushtetit lokal. Duke mos dashur të ketë “fatin” e Ermal Dredhës në Vlorë, i cili nuk pranoi dhe nuk kaloi në Këshill vendimin për ndërtimin e një parku fotovoltaik, Çaçi është treguar më i bindur.

Natyrisht ai vjen nga biznesi dhe bashkinë apo pronat publike i konsideron si mjet për të përfituar para. Por, kur banorët u ngritën dhe dolën të gjithë në Sarandë për të protestuar, Çaçi dhe Asaf Stroka, kryetari i Këshillit Bashkiak, e vijuan çmendurinë, duke miratuar edhe projekt-vendimin.

Ata u “ndihmuan” edhe nga këshilltarët e djathtë, duke votuar të gjithë kundër interesave të banorëve dhe pro interesave të firmave private.

 

DOKUMENTI SKANDALOZ/ Oltion Çaçi bën ankand fiktiv për
Faksimile: Njoftimi i ankandit fiktiv i bërë nga Bashkia e Sarandës për t’i falur dy biznesmenëve pasurinë prej 60 hektarësh

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia e Sarandës ka nxjerrë një njoftim për “dhënie me qira”.

“Bashkia Sarandë njofton se në konkurrimin publik të zhvilluar në datën 08.09.2025, ora 11:00, publikimi i të cilit është bërë në datën 01.09.2025 në Buletinin e Prokurimeve Publike nr.47, me objekt ‘fillimi i procedurave për dhënie me qira të sipërfaqes prej 60 ha, pjesë e pasurisë me nr.8 dhe nr.15 zona kadastrale 2806 në pronësi të Bashkisë Sarandë për zhvillim aktiviteti prodhim energjie nga burime të rinovueshme, nëpërmjet paneleve fotovoltaikе”, thuhet në këtë dokument.

E njëjta bashki shkruan se kanë qenë pjesëmarrës në procedurën përkatëse shoqëria “PARK SOL ENERGY” me ofertë 10.560.000 lekë/vit. Një ankand fiktiv, i bërë pasi të gjitha procedurat kishin përfunduar. Për më tepër që të gjitha dokumentet kishin përfunduar dhe fituesi ishte shpallur. Por, përse duhej të shpallej fituesi kur dihej tashmë? Përse u hap ankandi?

Një histori abuzimi, kur “urdhrat” nga lart zbatohen me përpikmëri nga poshtë. Me zellin më të madh, pasi nëse do të veprohej ndryshe do të kishim të njëjtën histori si në Vlorë. Duket se pushteti është centralizuar, ku vendimmarrjet merren sipër në qeveri dhe pushteti lokal vetëm sa i zbaton. Aksioni i kryeministrit për të shkarkuar të gjithë drejtorët në bashkitë vetëm sa e përforcon, pasi pushteti tashmë është “në një dorë të vetme”. Kush vepron ndryshe, largohet!

DOKUMENTI SKANDALOZ/ Oltion Çaçi bën ankand fiktiv për
Faksimile: Firma “PARK SOL ENERGY” ka si pronar Paqësor Buzin dhe Agim Xhindolin

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, firma “PARK SOL ENERGY” ka si aksioner dy biznesmenët Paqësor Buzi dhe Agim Xhindoli. Të dy përfitues të mëdhenj nga mazhoranca, ku i pari në ndërtime dhe leje në bregdet dhe i dyti në fushën e parqeve fotovoltaike në Lushnje, Fier apo edhe në Vlorë. Madje Xhindoli i ngriti shkallët e karrierës në momentin që doli në podcastin e Edi Ramës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video