Denoncimi nga Prishtina/ Kompania “Gështenja Group” ndërton pallat pa leje, dëmtohen banesat përreth (DOKUMENTE dhe VIDEO)

13 Shtator 2025, 23:25Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Gështenja Group”

Një skandal vjen nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, ku një kompani ka filluar ndërtimin e një pallati shumëkatësh pa asnjë leje të organeve vendore.

Denoncimi është bërë nga banorët e zonës, të cilët kanë dërguar foto dhe video të mjeteve dhe punëtorëve të një firme ndërtimi.

Madje, këto punime kanë shkaktuar edhe dëmtime të banesave të banorëve të zonës, teksa asnjë institucion kontrollues nga Komuna e Prishtinës nuk ka shkuar për të ndalur punimet apo për të marrë masa për dëmtimet që janë kryer.

Skandali thellohet edhe më tej, pasi kompania “Gështenja Group” nuk ka asnjë leje ndërtimi të marrë, megjithëse punëtorët dhe mjetet e saj të rënda kanë shkuar prej shumë muajsh në lagjen “Muhaxhirët”.

Duket një rast tipik i ngjarjeve dhe ndërtimeve kaotike në Shqipëri, ku “vëllezërit” tanë kanë kopjuar në mënyrën më të keqe ngritjen e kullave vend e pa vend.

Duket se, firma “Gështenja Group” po shpejton ndërtimin e pallatit edhe nga situata aspak normale e qeverisë qendrore, ku prej kohësh nuk po ngrihen dot institucionet pas zgjedhjeve parlamentare, ku asnjë forcë politike nuk mori dot shumicën.

Madje, e njëjta firmë po favorizohet edhe nga fushata elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë, ku pas 1 muaji do të zhvillohen votime në të gjitha komunat.

Pikërisht këto ngërçe institucionale kanë favorizuar kaosin, ku punëtorët dhe mjetet punojnë ditë e natë pa asnjë leje përkatëse.

Denoncimi nga Prishtina/ Kompania “Gështenja Group”
Faksimile: Dokumenti i lëshuar nga Komuna e Prishtinës, e cila i kthen përgjigje ankuesve se firma “Gështenja Group” nuk ka marrë asnjë leje

Por, si mund të ndërtosh një pallat kur s’ke marrë asnjë leje? Këtë mund t’a thonë institucionet vendore, ato kontrolluese apo edhe organet e zbatimit të ligjit në Prishtinë dhe Kosovë.

Punimet pa leje janë një vepër e rëndë penale.

Gjithashtu, punimet pa kriter, duke dëmtuar edhe banesat përreth, janë dyfish të rrezikshme për jetët e banorëve dhe sërish vepër penale.

Sipas një dokumenti që disponon redaksia e VoxNews, të cilën ia servirën banorët e zonës, Komuna e Prishtinës shkruan mjaft qartë se “me kërkesën e datës 26 prill 2024, subjekti juridik dhe pronarët kanë aplikuar për leje ndërtimi, e cila kërkesë është në trajtim”.

E shkruar e zeza mbi të bardhë, ku theksohet se “është në trajtim”.

Çka do të thotë se s’ka leje dhe zyrtarët e Komunës së Prishtinës ende s’e kanë trajtuar.

E gjitha përkthehet në punime pa leje, ku do të duhet ndërhyrja e organeve të tjera, qoftë administrativisht apo edhe penalisht, me masë ndalimi apo arrestimi.

Komuna i ka kthyer përgjigje banorëve se “për ndërtimet pa leje dhe tejkalimet e lejeve ndërtimore është kompetencë e Inspeksionit të Ndërtimit të Komunës së Prishtinës”.

Pikërisht ky institucion duhet të kishte shkuar apo të shkojë urgjentisht në atë vend për të kryer verifikime.

Por, duket se deri më tani, asnjë nuk ka shkuar, ku krahas ndërtuesit edhe këto institucione duhet të ndëshkohen ligjërisht.

Komuna e Prishtinës thekson se me vendimin e datës 29 qershor 2010 ka miratuar planin rregullues “Muhaxhirët”, në Prishtinë, në bazë të cilit e gjithë hapësira ku e përfshinë plani rregullues, parashihet ndërtimi i ndërtesave shumë banësore & afarist, bazuuar në kriteret e planit rrefullues.

“Subekti juridik ‘Gështenja Group’ nga Prishtina, sipas vendimit të datës 21 tetor 2022, posedon kushte ndërtimore në emër të pronarëve Bujar, Bajram, Qamil dhe Agron Bullatovici dhe Ramiz Gashi nga Prishtina” shkruhet në dokumente, por aplikimi është “në trajtim”.

Në video: Mjetet dhe punëtorët e firmës “Gështenja Group” kanë filluar ndërtimin e pallatit pa marrë më parë lejen

Por, çfarë ndodh në terren, piëkrisht në lagjen “Muhaxhirët” në Prishtinë?

Sipas fotove dhe videove që kanë mbërritur në redaksinë e VoxNews, firma ka filluar hapjen e gropës së pallatit.

Mjete të rënda të “Gështenja Group” kanë shkuar në zonë dhe po bëjnë punime, duke e kthyer lagjen në një kantier të madh.

Denoncimi nga Prishtina/ Kompania “Gështenja Group”

Madje, punëtorët kanë kryer edhe punë të rënda, duke dëmtuar edhe banesat përreth. Të gjitha punët kryhen hapur, pa kurrfarë frike megjithëse pallati s’ka leje.


Duket se, institucionet apo zyrtarët e Komunës së Prishtinës, duhet të shohin edhe këto ndërtime dhe jo veç fushatën elektorale.

Denoncimi nga Prishtina/ Kompania “Gështenja Group”

Nëse ndokush nga këta zyrtarë ka shkuar në lagje, ka mbyllur sytë dhe veshët?

Tashmë bëjnë mirë ti hapin, pasi ndërtuesi ka konsumuar disa vepra penale, ndërkohë që dëmi më i madh po iu bëhet banorëve të zonës.

Nëse dje s’kanë ndërhyrë, sot ështe tepër vonë!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video