Dritan Agolli, kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është kthyer në një biznesmen të mirëfilltë, megjithëse me turizëm merret djali dhe bashkëshortja e tij. Tashmë në krye të një institucioni shtetëror, ai ka bërë një mori ndërtesash, brenda të cilave ka bërë bare, restorante apo hotele.
I tillë ka qenë projekti në Llixhat e Bënjës, në Sarandë, Vlorë apo edhe në rrethinat e Tiranë. Restorant dhe bar është bërë edhe në parkun Retro në Bulqizë, ku të gjitha ndërtimet janë bërë me paratë e taksave të shqiptarëve, të cilët po e shohin veten dita-ditës vetëm për të mbijetuar.
Tashmë, Agolli po “kopjon” biznesmenin Behgjet Pacolli, i cili para disa kohësh publikoi një mega projekt për një resort të stërmadh në zonën e plazhit dhe pishave në Divjakë. Kësaj herë, sërish me paratë e shqiptarëve, Agolli po ndërton një hotel, restorant, bar dhe pishinë në një zonë kodrinore.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender ditët e fundit me një vlerë të madhe. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Divjakë”.
Fondi do të ndërtojë “fermën e dijës dhe agroturizmit të ullishteve”, Divjakë me një fond prej 458.267.729 lekë, ose rreth 4.6 milionë euro. Një vlerë e stërmadhe për një pronë shtetërore, që më shumë ngjason me një resort luksi.



Por, duke parë këto shifra, kush do t’a menaxhojë këtë resort?! VoxNews ka mësuar se në një kodër në Divjakë do të ndërtohet një godinë të madhe dykatëshe, me punime guri dhe druri.
Fotot e projektit më shumë ngjasojnë me një resort luksoz, sesa me një fermë. Resorti do të ketë dhoma hoteli, restorante, bare apo edhe pishinë. “Ndërtesa kryesore, e dizajnuar me kujdes për të ndërthurur estetikën moderne me elementet natyrore, qëndron në harmoni të plotë me peizazhin përreth” shkruan projektuesi.
Sipas saj, ullishtat e gjelbërta shtrihen në të gjithë zonën, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe edukative. “Pishina e integruar dhe tarracat e gjelbëruara shtojnë një prekje të qëndrueshme dhe luksoze, duke bërë këtë fermë një destinacion unik agro-turistik” thuhet në dokumente. Ky masterplan dhe projekt teknik është financuar nga Bashkia e Divjakës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.