“Koka turku” në Bulqizë, shkarkohet drejtori i minierës: A e di shteti çfarë po ndodh me kromin?!

6 Tetor 2025, 17:19Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Një gjueti “shtrigash” po ndodh në Bulqizë, në minierën shtetërore të kromit, e cila është dhënë me koncesion dhe së fundmi administrohet nga një firmë turke. VoxNews ka raportuar në vijimësi për një mori skandalesh që po ndodh me pasurinë e shqiptarëve, e cila po shfrytëzohet barbarisht, ndërkohë që firmat, pronarët e drejtorët veçse po pasurohen, në kurriz të punëtorëve të varfër dhe të rraskapitur, madje edhe të vrarë, pasi çdo javë raportohen për ngjarje të rënda në zonën shtetërore të minierës.

Një histori tepër e dhimbshme, pasi shteti duket se vetëm sa merr thërrime nga e gjitha ajo pasuri, ku firma oncesionare raportoi vitin e kaluar një humbje që shkonte deri në 720 mijë euro. Një abuzim i frikshëm, pasi ndërmarrjet e godinat janë shtetërore, të ndërtuara nga djersa e gjaku i punëtorëve që dikur ishin të shtetit. Por, si në çdo pasuri tjetër në mbarë Shqipërisë, edhe Bulqiza ka një histori që vetëm sa ka fryrë llogaritë e thasët e pronarëve e drejtorëve.

Pas një mori raportimesh, që fillonin në Uzinën e Ferrokromit në Burrel, apo edhe me minierën e Bulqizës, firma koncesionare ka filluar të bëjë “koka turku”. Disa ditë më parë, VoxNews raportoi për shkarkime dhe emërime në disa poste drejtuese të ALBCHROME. Ndërkohë, në këto radhë do të ndalemi te administrimi i minierës kryesore, atje ku punojnë qindra punëtorë, të cilët prej vitesh kërkojnë trajtim sa më dinjitoz.

“Koka turku” në Bulqizë, shkarkohet drejtori i
Faksimile: Vendimi i ALBCHROME për shkarkimin e drejtorit Mikel Demçe dhe emërimin e Medat Zogut në vend të tij

Por, menjëherë pas kërkesave të punëtorëve ka ardhur reagimi i firmës. Me një vendim të paralajmëruar edhe nga VoxNews, turqit kanë shkarkuar drejtorin Mikel Demçe, duke rikthyer në pozicionin e drejtorit të minierës Medat Zogun. Ky i fundit ka qenë edhe më parë drejtor, madje në kohë tepër të errëta, ku është akuzuar për trajtim të turpshëm ndaj punëtorëve. Zogu është larguar si drejtor vetëm pas grevës së urisë që mbajtën minatorët rreth 13 vite më parë.

Rikthimi i tij në krye të minierës duket se është një skemë që turqit të largohen. Në këtë mënyrë ata po tentojnë që të ketë pakënaqësi nga minatorët, ku fillimisht do tentojnë shkurtime masive në staf, pavarësisht se gjithkush ka vjetërsi dhe një kontratë të firmosur. Kërkesat e para janë bërë, ku drejtori Medat Zogu ka në tryezë një vendim për të shkurtuar dhjetëra punonjëse femra, nga ato që seleksionojnë kromin e nxjerrë. Pjesa më e madhe e këtyre grave minatore, janë nga shtresa më në nevojë e Bulqizës, disa kanë humbur burrat në minierë, të tjerat kanë pjesëtarë të familjes të sëmurë, etj.

Turqit duket se nuk po pyesin kërkënd, teksa synimi i tyre duket se është vetëm zhvatja dhe jo trajtimi sa më dinjitoz i minatorëve, apo edhe i pasurisë së shqiptarëve. Mësohet se ortaku i firmës Sabit Sagir, në cilësinë e administratorit, po vepron me dorë të hekurt, duke bërë mbledhje pas mbledhje sa në Tiranë apo edhe në Bulqizë.

Ai shkarkoi drejtorin Mikel Demçe dhe emërimin e Medat Zogut, një pensionisti, 66 vjeçar, në “cilësinë e administratorit lokal të shoqërisë pranë Uzinës së Kromit Bulqizë, për një afat prej 5 vitesh nga data e këtij vendimi”. Gjithashtu është emëruar edhe z. Ruzhdi Domi, në cilësinë e administratorit lokal të shoqërisë pranë Uzinës së Ferrokromit Elbasan, për një afat prej 5 vitesh.

“Koka turku” në Bulqizë, shkarkohet drejtori i
Faksimile: Bilanci i firmës ALBCHROME për vitin 2024, me një humbje prej 720 mijë eurosh

Në redaksinë e VoxNews kanë mbërritur ankesa të njëpasnjëshme për ndodhitë në minierën shtetërore të kromit në Bulqizë. Pavarësisht se firma koncesionare, tashmë në dorën e turqve, ka shkarkuar disa drejtorë, duket se “peshku është qelbur nga koka”.

Historia e kromit në Bulqizë është e njëjtë edhe me fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëz, me ndërmarrjen e përpunimit ARMO, me minierat e bakrrit, hekur nikelit apo edhe me fushat e tjera të naftës apo gazit në gjithë Shqipërinë.

Të dhënat që ka publikuar redaksia jonë flasin se drejtuesit e mëdhenj të firmës koncesionare ALBCHROME, por edhe administratorët e disa uzinave, kanë abuzuar rëndë me menaxhimin e kësaj pasurie, e cila ka si “pronar” vetë shqiptarët dhe jo ata që e menaxhojnë apo ata (qeveritarët qendrorë) që kanë dhënë leje.

Madje, firma koncesionare vepronte me dy bilance, duke e bërë situatën tepër të dyshimtë, duke “kopjuar” në këtë rast simotrën e saj Bankers.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, në vitin 2024 firma koncesionare Albchrome ka regjistruar një humbje prej 720 mijë eurosh. Natyrshëm lindin disa pyetje; Ku shkojnë paratë e kromit në Shqipëri? A mos vallë bëhet një bilanc me humbje për të mos paguar detyrime? Sa janë fryrë kostot, duke paguar nënkontraktorë, me qëllim nxjerrjen e këtij bilanci? Çfarë pagash kanë administratorët, drejtorët, përgjegjësit e ata që menaxhojnë këtë pasuri të shqiptarëve?

Natyrisht, institucionet kontrolluese, por edhe ata ligjzbatuese, duhet të veprojnë me qëllim ndaljen e këtij abuzimi të frikshëm. Nëse në çdo vend të botës minierat sjellin të ardhura për shtetin, punëtorët, komunitetin apo edhe për vetë firmën që i menaxhon, krejt ndryshe ndodh në Shqipëri. Të gjitha dalin me humbje!

Po nëse s’kanë fitim, përse i mbajnë?

(Vijon ... “A është e përfshirë ALBCHROME në ‘vjedhjen’ e kromit në Durrës?”)

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video