SKANDALI\ Firma Gjoka “harroi” sistemin e mbrojtjes nga zjarri në tunelin e Skarficës, tender i ri 800 mijë euro

2 Tetor 2025, 22:17Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tuneli i Skarficës

Skandalet e punëve publike s’kanë fund në Shqipëri, ku veprat ndërtohen, riparohen pas përurimit apo ribëhen nga e para. I tillë është edhe ndërtimi i tunelit të Skarficës, pjesë e rrugës së re Kardhiq–Delvinë, një rrugë e nisur vite më parë dhe e përuruar në vitin 2022, pas një kalvari të gjatë tenderësh dhe ankimimesh.

Tenderi i lotit 7 ka qenë më i debatuari, madje çështja ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, ku ish-drejtoresha e Rrugëve Sonila Qato është marrë e pandehur për shpërdorim detyre. Ajo dyshohet se favorizoi një kompani në dëm të firmës “Gjoka”, por pas ankimimeve firma që bën tunelet në Shqipëri e fitoi garën dhe vlerën prej rreth 20 milionë eurosh.

SKANDALI Firma Gjoka “harroi” sistemin e mbrojtjes nga zjarri
Faksimile: Tenderi i ri i hapur nga ARRSH për instalimet e sistemit të mbrojtjes nga zjarri në tunelin Kardhiq – Delvinë

Tre vite pas përurimit të tunelit dhe të të gjithë rrugës, kanë filluar problemet e para. Apo më saktë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gjetur mangësi tepër të dukshme. Një ndër to ka qenë edhe mungesa e një sistemi për mbrojtjen nga zjarri në tunelin Kardhiq – Delvinë. Një skandal nëse do ta mendosh që ai tunel nuk e ka një sistem të tillë.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ARRSH ka hapur tenderin me objekt “qendra e MZSH dhe instalimet për mbrojtjen nga zjarri në tunelin Kardhiq- Delvinë”. Fondi limit i procedurës është 800 mijë euro, teksa bën fjalë për stacion për mbrojtjen nga zjarri.

Por, natyrshëm pas këtij tenderi lindin disa pyetje; A nuk ishte projektuar që tuneli të kishte një sistem anti zjarr? Nëse po, përse u bë? Nëse jo, kush mban përgjegjësi. Natyrisht që të gjithë mbajnë përgjegjësi, zyrtarët aktualë apo edhe ish-zyrtarët e ARRSH-së të cilët lejuan që diçka e tillë të ndodhë.

SKANDALI Firma Gjoka “harroi” sistemin e mbrojtjes nga zjarri
Faksimile: Tenderi i ndërtimit të tunelit u fitua nga kompania Gjoka në bashkëpunim me dy firma të tjera

Institucionet shtetërore duhet të bëjnë një analizë të plotë të kësaj situate. Nëse çështja shkoi në atë kohë në SPAK, a kishte mangësi në bërjen e një vepre të tillë? Natyrisht që po, pasi vetë shteti shpenzoi në atë kohë 20 milionë euro dhe tashmë hedh të tjera para për të bërë një sistem që duhet të ishte bërë.

Firma ndërtuese është një emër i njohur i përfituesve të tenderëve publik, nga veriu në jug, ku ka fituar shumicën e procedurave në rrugët ku ka tunele. “Punët e ngjashme” e kanë favorizuar në procedurat e tunelit në Llogora, të cilën e ka ndërtuar me një firmë turke.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video