Heshtja ndaj aferës më të madhe në Shqipëri, Bankers Petroleum, përse SPAK nuk e merr nën hetim?!

29 Shtator 2025, 22:09Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Një nga aferat më të mëdha të Shqipërisë post komuniste është padyshim dhënia me koncesion e fushës më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos–Marinëz. Një histori e stërmadhe abuzimi, ku firma koncesionare Bankers Petrolium është amnistuar për të gjitha shkeljet, në kurriz të vetë “pronarëve” të nëntokës, shqiptarëve të varfër.

Një histori që edhe sot, 3 muaj pas arrestimit të disa drejtuesve dhe ish-drejtuesve të firmës, ende nuk është zbardhur. Përse nuk hetohen ministrat, drejtorët, përgjegjësit që lejuan këtë abuzim të frikshëm? Përse nuk hetohen bankat e nivelit të dytë, ky firma kishte disa llogari të fshehura? Përse nuk hetohen as firmat nënkontraktore, apo siç edhe njihen si “shushunjat” e Bankers?

Normalisht, në një vend normal me një demokraci dhe sistem drejtësie të pavarur, pas hekurave apo të paktën nën hetim duhet të ishin dhjetëra për të mos thënë qindra persona, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë shkaktuar që buxheti i shtetit të mos arkëtonte qindra miliona euro.

Nëntoka është e të gjithëve, ku shfrytëzimi duhet të përkthehej në punë publike. Në të mirë të komunitetit, në bërjen e rrugëve, shkollave apo spitaleve. Por, pasuria e Patos – Marinzës ka shkuar në xhepat e disave, në ndërtimin e kullave dhe resorteve nga ata që e menaxhuan.

Por në gjithë këtë situatë, ende ka një pikëpyetje të madhe; përse kjo aferë kaq e madhe nuk po hetohet nga SPAK-u?! Një organ ligjzbatues që u krijua për të goditur të “paprekshmit”, apo të çrrënjoste lidhjet mes politikës, krimit dhe biznesit. Të zbulonte ato fijet e holla të këtij trekëndëshi, që takohen shpeshherë në aferën Bankers.

Heshtja e një organi Kushtetues si Prokuroria e Posaçme, apo këmbëngulja e Prokurorisë së Fierit se “po e hetojmë ne”, është më shumë si një amnisti për të gjithë ata zyrtarë që kanë lejuar dhe kanë kryer veprime për të gjithë këtë aferë.

Duket se, interesat apo përgjegjësit e dosjes “Bankers” duhet të jenë te zyrat shtetërore, deri sipër në qeveri. Janë edhe në zyrat e bankave më të mëdha të nivelit të dytë, apo te komplekset e pallateve që po ndërtohen me ato para’. Ja përse SPAK-u duhet t’a kishte marrë në dorë, për të “ndjekur paranë”. Shqiptarët duhet të dinë se ku shkuan paratë e nëntokës dhe jo të shohin pas hekurave 1 apo disa drejtues të firmës.

Kush përfitoi? Ku u investuan paratë? A janë përgjegjës politikanët e lartë?! Këto janë disa nga pyetjet që organet ligjzbatuese duhet t’i japin përgjigje shteruese, nëse vërtetë duan t’i shkojnë deri në fund kësaj afere.

VoxNews ka denoncuar në vijimësi se çështja po amnistohet nga Prokuroria e Fierit. Deri më sot, asnjë veprim nuk është ndërmarrë për “bashkëpunëtorët” e kinezëve dhe shqiptarëve të arrestuar! Nëse deri më tani akuza ka faktuar se ata kanë shkelur ligjet e shtetit shqiptar, me një dëm të madh ndaj vetë buxhetit, me cilët bashkëpunuan këta individë privatë? Kush i lejoi të xhironin mbi 6 miliardë euro dhe t’i nxirrnin bilancet me fitime minimale, sa një market lagje?

Hetimet duhet të shtriheshin te zyrat që duhet të kontrollonin këtë firmë. Por, drejtuesit ndër vite të tyre mbyllën të dy sytë dhe ndoshta kanë zgjatur duart që ky skandal vetëm që të vijonte pambarimisht, me një dëm kolosal. Hetimet kanë provuar se nga viti 2005 deri në 2025, Bankers ka eksportuar naftë bruto në vlerën prej 598,581,754,111 lekë. Megjithë këtë xhirim miliardash, sërish fitimet kanë qenë me pikatore.

Në dosjen e prokurorisë ka me dhjetëra përgjime të punonjësve të “Bankers”, ku theksohet se koncesionari mbante aktive llogaritë e saj në Shqipëri, por nuk depozitonte para. Firma ka vepruar vetëm me bankën “Raiffeisen Bank”, në Shqipëri dhe më pas në Austri, duke “transportuar” paratë e nëntokës, me një operacion shumë të dyshimtë.

“Bankers nuk ka të deklaruar në AKBN apo në Administratën Tatimore llogari bankare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se njëra nga këto llogari gjendet në Austri pranë bankës Raiffeisen, por nuk është raportuar as se kush e krediton atë, në cilat vlera e krediton, cilat janë balancat e saj. Bankers kryen pagesa preferenciale ndaj disa subjekteve edhe këtu në Shqipëri” thuhet në dosjen e prokurorisë.

Kush e lejoi të ketë këtë llogari?! Përse nuk janë shtrirë hetimet edhe ndaj AKBN-së apo edhe ndaj kësaj banke të nivelit të dytë? A mos vallë influencat, qoftë të biznesit, politikës apo edhe të vetë krimit, kanë ‘penguar’ një hetim nga ana e Prokurorisë së Fierit?!

Por, më skandalozja është se Prokuroria e Fierit nuk ka një informacion ende të saktë nëse e ka hetuar gjobën që i ka vendosur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave firmës Bankers më datë 13 maj 2019. Gjoba ishte plot 100 milionë euro dhe Ministrja e Financave të asaj kohe, Anila Denaj, me një vendim tepër të beftë dhe të dyshimtë ia pezulloi. Më vonë, gjoba nuk iu mor kurrë Bankersit, ndërkohë që personi i parë që duhet të hetohej ishte pikërisht ish-ministrja.

“Nga shqyrtimi i materialeve, rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore. Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhej në vendimin e ministres Denaj. Një vendimmarrje tepër e diskutueshme e një zyrtareje shumë të lartë, për më tepër që Bankers është kapur në shkelje të ligjit duke shmangur akcizën për holluesit e karburanteve.

Deri më tani shumë zyrtarë të amnistuar dhe të pa hetuar. Një heshtje që “flet” më shumë sesa veprimet, pasi në këtë mënyrë po tentohet të mbyllet një nga skandalet më të mëdha me pasuritë e shqiptarëve. Duket se, të gjithë kanë përfituar nga nëntoka, dhe tashmë presin lëvizjen e radhës së politikës.

Të dhënat që vijnë nga qeveria flasin se firma Bankers po ndryshon pronar, disa muaj pas kësaj goditje. A mos vallë i gjithë aksioni kishte këtë qëllim, heqjen e kinezëve dhe kalimin e vendburimit te njerëzit e besuar të mazhorancës? Kësaj pyetje duhet ti përgjigjet SPAK-u!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video