Gjetjet kyçe nga raporti i KE për progresin e Shqipërisë gjatë 2021

22 April 2022, 19:10Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjetjet kyçe nga raporti i KE për progresin e Shqipërisë

Raporti i Komisionit Europian u miratua me shumicë dërrmuese të votash në Komitetin e Jashtëm të PE. Mes gjetjeve kyçe të tij theksohet se vendi ka përmbushur të gjitha kriteret për caktimin e një date për nisjen e negociatave. Por, mes gjetjeve kyçe pasqyron edhe problematikat.

Sa i takon kriterit politik, KE i referohet raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, ku thuhet se zgjedhjet e 25 prillit në përgjithësi ishin të organizuara mirë dhe vlerësohet roli i administratës zgjedhore. Megjithatë, shqetësimi lidhet me shpërdorimin e fondeve dhe keqpërdorimin e administratës publike.

Shqetësimet mbetën të lidhura, thotë KE, me keqpërdorimin e burimeve publike apo funksionet zyrtare, me pretendimet për blerje votash dhe me rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale që mbulonin preferencat politike të qytetarëve. Mazhoranca dhe opozita do të duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku me të gjitha pjesët e shoqërisë për të avancuar më tej axhendën e reformës në BE dhe negociatat e anëtarësimit. Koordinimi brenda administratës duhet të përmirësohet, veçanërisht në lidhje me integrimin në BE.

Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet, vijon raporti, si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit. Kjo është veçanërisht e nevojshme për të garantuar autonominë fiskale lokale dhe për të fuqizuar bashkitë për të ofruar shërbime publike cilësore. Është bërë përparim i kufizuar në zbatimin e udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi të favorshëm për shoqërinë civile. Megjithatë, shoqëria civile shqiptare ka qenë në gjendje të ofrojë mbështetje dhe shërbime për njerëzit më vulnerabël të prekur nga pandemia COVID-19.

Raporti thotë se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për reformën në administratën publike. Është bërë njëfarë progresi është bërë në ndërtimin e kapaciteteve në ministritë e linjës për zbatimin e vlerësimeve të ndikimit rregullator, miratimin e udhëzimeve për konsultimet publike, ngritjen e sistemeve të IT-së për planifikimin e integruar, rritjen e shkallës së zbatimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë është gjithashtu mesatarisht i përgatitur sipas vlerësimit të Komisionit. Shqipëria ka vazhduar zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke rezultuar në një progres të mirë. Gjykata Kushtetuese ka filluar të ushtrojë plotësisht funksionet e saj, duke përfshirë edhe gjykimin e mosmarrëveshjeve kushtetuese ndërmjet institucioneve shtetërore për kompetencat përkatëse. Progresi ka vazhduar edhe në emërimet në Gjykatën e Lartë.

Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut) ka avancuar në mënyrë të qëndrueshme, duke vazhduar të japë rezultate të prekshme - një kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Nën kujdesin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin. Deri më 15 shtator 2021, institucionet e vettingut kishin përfunduar 437 çështje në shkallë të parë, duke përfshirë të gjitha dosjet me përparësi. Nga 437 vendime, 298 janë të formës së prerë (d.m.th. pas ankimimit). Në përgjithësi, 62 % e dosjeve të vettingut të përpunuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime dhe pushime kryesisht për shkak të dorëheqjeve nga të vlerësuarit. Institucionet e vettingut pritet të vijojnë t'i referojnë organeve të prokurorisë të gjitha rastet kur ka indicie për vepra penale.

Struktura e Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, janë funksionale. Ndërkohë që buxheti i vitit 2021 parasheh emërimin e 20 prokurorëve, SPAK ka arritur objektivin e parë prej 15 prokurorëve, përfshirë edhe kryeprokurorin special.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit, raporti vlerëson disa hetime të ndërmarra gjatë vitit të kaluar, ndërsa kërkon që kjo luftë të përshkallëzohet dhe forcohet edhe më tej hetimi proaktiv i dosjeve. Për luftën kundër krimit të organizuar, edhe këtu niveli i përgatitjes konsiderohet modest, ndërsa vlerësohet bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

Sipas raportit, hetimet financiare duhet të shoqërojnë në mënyrë sistematike procedurat penale. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të rritur numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video