
Erion Braçe llogariti shpenzimet mesatare që kanë pikat e karburantit dhe sipas llogaritjeve të tij ato kanë diferencë të madhe në krahasim me shpenzimet që i njeh qeveria dhe bordi i transparencës kur përcakton çmimet e shitjes së naftës, benzinës dhe të gazit.
“Shpenzimet e tyre janë ato të njohura sipas ligjit për procedurat tatimore, asgjë tjetër. Referenca duhet të jetë vetëm ligjore dhe jo ato që do njëri atje e tjetri atje matanë. 405 mijë lek u njihni shpenzime ju pikave të vogla, ndërkohë që ato nuk janë më shumë se 328 mijë lek. 787 mijë lek shpenzime u njihni pikave mesatare, ndërkohë që ato nuk kanë më shumë se 542 mijë lek dhe 3.8 mln lek u njihni shpenzime pikave të mëdha, ndërkohë që shpenzimet e tyre nuk shkojnë më shumë se 1.4 mln lek”, tha Braçe gjatë një seance në Komisionin e Ekonomisë me përfaqësues të Ministrisë së Financave.
Braçe tha se tregu i karburanteve është i deformuar dhe kontrollohet nga dy vetë. Ai nuk përmendi emra, por importuesi më i madh është Shefqet Kastrati. Deputeti akuzoi se ky i fundit po përcakton çmimet në treg duke përdorur bursat si justifikim.
“Sa brokera janë që shesin naftë në Shqipëri, se në dijeninë time në sistem dalin dy? Bursat nuk shesin sot për nesër. Bursa bast është dhe nuk del ky çmim, por ata që po shesin me shumicë në këtë vend dhe këta brokera nuk kanë blerë sot për nesër. Tregu ka probleme të mëdha të konkurrencës, janë evidente përsa kohë shkojmë dhe ndërtojmë një bord për të kontrolluar abuzimin. Çmimi të jetë i drejtë dhe të jetë produkt i kërkesës dhe ofertës dhe jo i këtyre që shpikin shpenzime”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist kërkoi që të çmontohen monopolet në këtë treg.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.