Drejtori i Burgut të Fierit, Arjan Hasani ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën e sotme.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se Hasani i ka paraqitur kërkesën për t’u larguar drejtorit të Burgjeve për arsye personale.
Arjan Hasani është oficer karriere dhe është cilësuar si një ndër drejtuesit më të mirë në sistemin e burgjeve shqiptare.
Gjate drejtimit të Hasanit, Bashkimi Europian lëvroi një fond disa milionë euro për rikonstruksionin e Burgut të Fierit.
Prej vitesh Hasani e kishte kthyer këtë qendër të vuajtjes së dënimit dhe në një qendër rehabilitimi, ku të burgosurit kryenin aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.
Në Burgun e Fierit ka vuajtur dënimin edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pak javë më parë Tahiri kërkoi largimin nga ky burg për të shkuar në burgun e Kosovës në Lushnje.
Në media qarkulloi lajmi se ishte përplasja me drejtorin Hasani arsyeja e largimit, por avokati i Tahirit dha versionin zyrtar.
Maks Haxhia ka mohuar që të ketë pasur një konflikt mes klientit të tij dhe drejtorit të burgut të Fierit. Ai shtoi se Tahiri nuk është ankuar e se është një nga më të disiplinuarit në burg, por që ka dashur prej kohësh të transferohej në Lushnje për shkak të kushteve më të mira.
“Unë vete s’po them 2 herë në jave, po një herë në 2 jave dhe kam shumë kontakt me Saimir Tahirin që është zbatues i ligjit shumë rigoroz. Nuk di që ka konflikt me drejtorin, por ka kërkuar vetë që të shkojë në Lushnjë sepse atje ka shumë të dënuar të tjerë për vepra penale të ndryshme e për shkak të aksesit të lehtë për t’u takuar me familjen. Nuk më është ankuar për rregulla të forta, ka qenë i disiplinuar dhe shumë zbatues për rregullat e burgut. Për konflikt nuk e di, e kam lënë që të shkoj të hënën, po nuk besoj të ketë. Ai nuk ka kohë që e kërkon, ka 10 ditë që më ka thënë, madje ai ka kërkuar që ditën që është ndaluar të shkojë në Lushnjë. Burgu i Fierit është godinë më e re”, tha Haxhia.
Në vendin e Arjan Hasanit në Burgun e Fierit është emëruar Ervin Bushi.
Ervin Bushi, ka mbajtur më parë detyrën e kreut të ALUIZNIT dhe ASHK Fier.
Përveç përfoljeve që ka pasur në detyrat që ka mbajtur sidomos në detyrën e kreut të Hipotekës, Bushi kujtohet në media edhe për një përplasje publike me Petro Koçin.
Petro Koçi, bëri thirrje SPAK të shkojë në Fier dhe të hetojë tenderat, që sipas tij, përfitohen nga trafikantët e drogës. Pas kësaj deklarate të fortë, reagoi ish-kreu i Hipotekës në Fier, Ervin Bushi, i cili shkroi: Më vjen ndot kur thua se indikator për humbjen e mandateve apo rezultatin e arritur në zgjedhje ka qënë performanca e Ashk-së Fier! Turp për ty të mohosh rezultatet e punës kolosale të ish Drejtorisë së Aluiznit dhe Ashk-së aktuale Fier! Sa keq më vjen kur mohon totalisht të vërtetën kur thua që Ashk Fier ka pasur performancë të ulët! Ti zoteri i sjell në krye të partisë në Fier e di mirë që në 2013 Aluizni ka filluar punën vetëm me 800 dosje të legalizuara nga paraardhësit dhe tani meqë nuk e di po ta them se e kemi çuar ne 21.000 numrin e banesave të legalizuara.
Bushi në Fier njihet si eksponentë politik që ka lidhje me botën e krimit, dhe për këtë dhe është emëruar në krye të Burgut, ku një pjesë e tyre janë jashtë, por dhe një pjesë janë duke vuajtur dënimin.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.