Shënim- Arben Ahmetaj mund të ketë zbuluar mes rreshtave mënyrën se si janë pastruar 22 milionë dollarët që u akuzua se grabiti përmes një kontrate të paligjshme mes kompanisë së themeluar prej tij, Hermes dhe Albtelecom për blerjen e impulseve.
Sipas kontratës të nënshkruar në fund të gushtit 2000, vetëm dy javë pasi kompania ishte regjistruar në QKB, Ahmetaj i bleu impulset 8 herë më lirë nga sa parashikonte një vendim i Këshillit të Ministrave dhe në një proces gjyqësor që u mbyll në 2016-n me tërheqjen e kompanisë, tashmë të privatizuar vlerësohej se dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit ishte 22 mln dollarë.
Por, si mund të jenë pastruar paratë e korrupsionit? Vetë Ahmetaj mund ta ketë zbuluar se si. Mes deklaratave të bëra në Opinion, ish-ministri tregoi se si kishte qenë një sipërmarrës i suksesshëm deri në 2008-n kur e shiti kompaninë.
Tregoi se paguante deri në 1 milionë dollarë divident, ose tërheqje fitimi nga kompania që zotëronte para se ta shiste atë për t’u bërë deputet. Pse i duhej posti i deputetit një njeriu kaq të suksesshëm në botën e biznesit?
Një përgjigje mund të jetë sigurimi i pushtetit dhe imunitetit që ai jepte për të mbrojtur veten nga aferat korruptive.
Kjo përforcohet edhe po të kihet parasysh situata ekonomike për vitet që flet Ahmetaj, kur informaliteti shkonte deri në 70 për qind të ekonomisë, evazioni fiskal ishte galopant dhe me përjashtim të ndonjë kompanie të huaj, pothuajse asnjë kompani shqiptare nuk deklaronte dividente 1 milionë dollarë në vit.
A janë këto para të deklaruara vërtet burim i të ardhurave të biznesit në atë kohë, apo janë faturime fiktive për të justifikuar ligjërisht 22 milionë dollarët e përfituar përmes kontratës abuzive me Albtelekom në vitin 2000? Kësaj pyetjeje përgjigje i jep vetëm një hetim i thelluar i SPAK, që kallëzimin e ka marrë në dorë tashmë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.