
Shënim- Ka një shprehje të urtë popullore; u nis për të vënë vetullat e nxorri sytë. Me kaq mund të përmblidhet e gjithë dalja prej gati një orë e Arben Ahmetajt te emisioni Opinion këtë të enjte.
Ish-ministri i Financave doli të flasë për çështjen e inceneratorëve, në një kohë që ndaj tij është në SPAK një padi e freskët, që nuk përfshin dyshimet për korrupsion të tij në këtë dosje, por edhe akuza e dosje të mëhershme, që nga Abtelekom e deri te rindërtimi.
Fjalën e nisi duke deklaruar se nuk ka akuza zyrtare nga prokuroria ndaj tij dhe këtu nuk gënjeu, pasi dy prokurorët e SPAK nuk kanë përfshirë në dosjen e inceneratorit të Elbasanit faturat e hoteleve që Klodian Zoto ka paguar për pushimet e Ahmetajt.
Sa për faturat, pati përpjekje për t’i mohuar, i mohoi më pas, por kur u pyet se përse nuk kontaktonte me hotelet në fjalë që të përgënjeshtronin lajmin e të pastronte emrin nga akuzat që i ngrihen iu përgjigj duke thënë ‘ç’punë kam unë’.
U përpoq të ngatërrojë publikun duke krahasuar një letërkëmbim të Klodian Zotos me hotelet që kishte paguar për Ahmetajn me prenotime paraprake që bëhen nëpër Booking, duke e ditur fare mirë që letra të cilat e akuzojnë nuk janë e njëjta gjë.
Nuk mohoi dot se datat e prenotimit të hoteleve përkonin me hyrje-daljet e tij sipas sistemit TIMS.
Si për t’i vënë kapakun se çdo fatura është e vërtetë, iu përgjigj pyetjes nëse kishte fjetur te hotelet në fjalë apo jo me një tjetër pyetje. ‘Ku e di ti se aty kam fjetur unë dhe s’kam fjetur në një vend tjetër?’, tha Ahmetaj.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.