A u përplas me Metën? Përgjigjet ish-këshilltari i Presidentit

12 Shtator 2022, 19:41Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-Presidenti Meta dhe këshilltari i tij juridik, Bledar Devishaj

Bledar Dervishaj, njeriu që udhëhoqi betejat juridike të shumta të Ilir Metës në Presidencë mohon zërat se ka përplasje me ish-Presidentin dhe se vazhdon komunikimin me të.

“Dje kam komunikuar dhe e kam uruar për diplomimin e vajzës në Londër. Kam uruar edhe Borën, i kam uruar suksese. Marrëdhëniet janë shumë të mira, kanë qenë shumë të mira dhe do të jenë shumë të mira. Ka qenë një marrëdhënie besimi profesional te unë”, deklaroi ai në një intervistë për Euronews Albania.

Ai jep përgjigje edhe pse nuk iu bashkua Ilir Metës te Partia e Lirisë, ashtu siç bënë një pjesë tjetër e bashkëpunëtorëve të Metës.

“E kam bërë me dije që në maj e qershor, unë kam zgjedhur të vijoj angazhimin tim profesional në fushën e të drejtës si jurist dhe për këtë kam marrë vendimin për të kandiduar si Avokat Populli”, u shpreh Dervishaj.

Mes të tjerave, Dervishaj mohoi edhe lajmet që qarkullojnë se ka pasur përplasje të forta me Metën në korridoret e Presidencës.

“Nuk ka pasur asgjë nga këto ‘ku u zhduk këshilltari i Metës’. Me asnjë nga këshilltarët e tij, Presidenti Meta nuk ka pasur përplasje, jo vetëm me mua”, tha ai.



Video