Ilir Meta ka braktisur daljet e përditshme për shtyp ku akuzon qeverisjen e Edi Ramës për afera korruptive.
Shkëputja e ish-Presidentit me sa duket e paska një shpjegim. Meta, së bashku me Monika Kryemadhin janë fotografua në një nga lagjet më të shtrenjta të Londrës, teksa shëtisin e sodisin dyqanet e zonës.
Që të dy ata nxitojnë që të publikojnë e denoncojnë përmes rrjeteve sociale keqqeverisjen e Ramës, sipas tyre. Por, nuk njoftojnë ndjekësit e tyre për udhëtimet me gjasë për shoping në rrugët e lagjet luksoze të Londrës.
Madje krejt e kundërta! Nga maja e Londrës, ku ndodhet me Kryemadhin, Ilir Meta fton shqiptarët që t’i bashkohen protestës së 13 qershorit te inceneratori i Tiranës, që ai e quan kryevepra qeveritare e korrupsionit.
“Afera e inceneratorëve është "kryevepra" e korrupsionit. Është vjedhja më e madhe që u është bërë qytetarëve shqiptarë. Popullit i kërkojnë të kursejë ndërsa Qeveria nuk ndalet së vjedhuri në kulmin e krizës. Të gjithë në protestë më 13 shtator, ora 18:00, tek inceneratori i Tiranës!”, shkruan Meta.
Nëse inceneratorët janë kryevepra e korrupsionit qeveritar, atëherë thirrja e Ilir Metës për protestë nga lagjet luksoze të Londrës është kryevepra e talljes me qytetarët, sepse njeriu që prej vitesh akuzohet se nuk justifikon pasurinë, vazhdon të udhëtojë e shpenzojë nëpër kryeqendra më të shtrenjta të botës edhe pse zyrtarisht është i papunë.