13 vite në pushtet, por Berisha premton sërish minimumin jetik

9 September 2022, 20:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
13 vite në pushtet, por Berisha premton sërish minimumin jetik
Sali Berisha

Nëse Ilir Meta fton shqiptarët që të protestojnë kundër korrupsionit qeveritar nga lagjet luksoze të Londrës, Sali Berisha e bën duke u kërkuar që ta mbështesin që të vijë edhe njëherë në pushtet për të bërë atë që s’e bëri në 13 vite në krye të vendit.

Kreu i PD-së zhvilloi këtë të premte një takim me banorët e Përrenjasit, të cilëve u premtoi caktimin e minimumit jetik.

“Ne mendojmë që duhet të ngrihemi e t’i japim sa më shpejt fund kësaj situate. PD beson se një ndërhyrje urgjente për krizën është jetike për qytetarët shqiptarë dhe kjo ndërhyrje urgjente kërkon së pari, vendosjen e minimumit jetim dhe nuk duhet të ketë shqiptarë që të marrë më pak se minimumi jetik”, tha ai.

Minimumi jetik është premtuar nga të dyja palët e politikës në këto 3 dekada, por sapo vijnë në pushtet të dyja palët e kanë harruar këtë premtim. Thelbi i minimumit jetik është caktimi i një kufiri minimal të ardhurash mujore për çdo familje dhe individ për të siguruar ushqimet bazike.

Caktimi i këtij minimumi do të detyronte qeveritë që çdo pagesë që bëjnë, qoftë në formën e asistencës sociale, qoftë pensione të mos ishte më poshtë këtij kufiri. Aktualisht, në Shqipëri ky kufi vlerësohet në të paktën 20 mijë lek në muaj. Nën këtë shifër janë pjesë dërrmuese e pensioneve dhe asistencave sociale.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video