Një telefonatë fundos kryeministren e Tajlandës

2025-07-01 16:03:43Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Paetongtarn Shinawatra

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka pezulluar nga detyra kryeministren Paetongtarn Shinawatra, në pritje të shqyrtimit të një padie që kërkon shkarkimin e saj për shkak të një bisede telefonike të publikuar me ish-kryeministrin e Kamboxhias, Hun Sen. Biseda ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe trazira politike në Tajlandë.

Në audion e bërë publike, Paetongtarn dëgjohet duke iu referuar ish-kryeministrit të Kamboxhias “xhaxha” dhe duke kritikuar një komandant të lartë të ushtrisë tajlandeze. Komenti ka ngjallur reagime të ashpra, veçanërisht nga radhët e konservatorëve, të cilët e akuzojnë atë për minimin e autoritetit ushtarak dhe nënshtrim ndaj një lideri të huaj.

Gjykata votoi me rezultatin 7-2 në favor të pezullimit të saj përkohshëm, ndërkohë që i ka lënë 15 ditë kohë për të paraqitur mbrojtjen. Deri në një vendim përfundimtar, vendin e saj në qeveri do ta mbulojë zëvendëskryeministrja si udhëheqëse e përkohshme e qeverisë. Megjithatë, Paetongtarn mbetet anëtare e kabinetit si ministre e Kulturës, pas një riorganizimi të miratuar pak orë përpara vendimit të pezullimit.

Paetongtarn ka kërkuar ndjesë publike për telefonatën, duke theksuar se qëllimi i saj ishte “më shumë se 100% në shërbim të vendit”. Sipas saj, biseda kishte për qëllim zbutjen e tensioneve kufitare me Kamboxhian, pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në fund të majit – një incident që ka rikthyer në vëmendje një mosmarrëveshje të vjetër territoriale.

“Nuk kisha asnjë qëllim të keq. Mendoja vetëm si të shmangja kaosin dhe humbjen e jetëve,” u shpreh ajo në një deklaratë publike.

Nëse shkarkohet përfundimisht, Paetongtarn do të jetë kryeministrja e dytë nga partia Pheu Thai që humbet postin brenda një viti. Paraardhësi i saj, Srettha Thavisin, u shkarkua në gusht të vitit të kaluar nga e njëjta gjykatë, për emërimin e një ish-avokati të dënuar në kabinet.

Paetongtarn, vajza e ish-kryeministrit të rrëzuar Thaksin Shinaëatra, është udhëheqësja më e re në historinë e vendit dhe gruaja e dytë që arrin postin e kryeministres, pas tezes së saj, Yingluck Shinaëatra.

Pavarësisht se Pheu Thai erdhi në pushtet nëpërmjet një marrëveshjeje politike me forcat konservatore dhe ushtrinë, tensionet e brendshme janë rritur. Një nga aleatët konservatorë të koalicionit e braktisi atë dy javë më parë, duke e lënë qeverinë me një shumicë të brishtë.

Ndërkohë, edhe babai i saj, Thaksin Shinawatra, përballet me probleme ligjore. Ai është në gjyq për fyerje ndaj monarkisë, për shkak të një interviste të dhënë në vitin 2015. Thaksin, që u kthye në vend vitin e kaluar pas 15 vitesh në mërgim, konsiderohet ende si figura qendrore që qëndron pas forcës politike të bijës.

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës është kritikuar vazhdimisht për rolin e saj politik. Që nga viti 2006, ajo ka shpërbërë 34 parti politike, përfshirë partinë reformiste “Move Forward”, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e vitit 2023, por u bllokua për formimin e qeverisë.

Ndërkohë që Tajlanda përballet me pasiguri politike dhe një ekonomi të dobësuar, sondazhet tregojnë se mbështetja për Paetongtarn ka rënë ndjeshëm – nga 30.9% në mars në vetëm 9.2% në fundjavën e kaluar.


Video