Tirana Slush’D përmbylli me sukses edicionin e dytë të saj, duke e kthyer kryeqytetin tonë në një qendër rajonale që promovon startup-et dhe krijon atyre ura bashkëpunimi me mentorë e investitorë ndërkombëtarë.
Pas suksesit të parë, edicioni i dytë erdhi më i madh, më ambicioz dhe më i guximshëm.
Organizuar nga B Limitless Agency, nën drejtimin e Boralda Minaj, në bashkëpunim me Enxhi Minaj dhe Tai Tran, ky event solli në Tiranë për herë të dytë shpirtin e Slush Helsinki, një nga skenat më të mëdha botërore të teknologjisë dhe inovacionit.
Në këtë edicion morën pjesë mbi 50 startup-e nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe investitorë ndërkombëtarë nga Finlanda, Norvegjia, Holanda, Ballkani, Europa dhe Silicon Valley. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që njiheshin nga afër me potencialin e inovacionit shqiptar. Në finale, 10 startup-e të përzgjedhura prezantuan idetë e tyre përpara një jurie prestigjioze ndërkombëtare, duke garuar për çmime që mund të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimit të tyre.
Çmimin kryesor, “Opportunity Prize” me vlerë deri në 300,000 euro, e fitoi LekoTech, startup-i i themeluar nga Nikolin Ngjela, një projekt që u vlerësua për potencialin e lartë teknologjik dhe zhvillimin e tij në tregun global. Ky çmim u mundësua nga Fil Rouge Capital, një nga fondet më të njohura të kapitalit të rrezikut në rajon.

Falë mbështetjes së EU4Innovation, pesë startup-e finaliste, LekoTech, PayStorm AI, Doll’App, Katalogim dhe Great Shift, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Slush Helsinki 2025, më 19–20 Nëntor, ku do të kenë mundësinë të takohen me qindra investitorë, mentorë dhe partnerë potencialë nga mbarë bota. Gjithashtu, startup-i Pronto Korrier u shpërblye me dy bileta hyrëse për në Slush Helsinki, të mundësuara nga Business Finland. Tirana Slush’D 2025 solli një momentum të ri për inovacionin shqiptar. Me panele tematike, takime “face to face” dhe hapësira për të njohur e kuptuar njerëz dhe horizonte të reja, nëpërmjet Tirana Slush D, u krijuan ura bashkëpunimi mes aktorëve publikë, privatë dhe ndërkombëtarë.
“Ky edicion tregoi se Shqipëria ka talente, ide dhe energji për të qenë pjesë e hartës globale të inovacionit. Falë partnerëve tanë, arritëm të krijojmë një platformë reale që lidh idetë me kapitalin dhe ëndrrat me mundësitë,”- u shpreh Boralda Minaj, Themeluese dhe Administratore e B Limitless / Tirana Slush’D.
Ky edicion u realizua falë bashkëpunimit mes B Limitless Agency, Startup Albania dhe EU4Innovation, me mbështetjen e Fil Rouge Capital, EBRD, Unionit Financiar Tiranë, EIT Community Hub, Junior Achievement of Albania, Enterprise Europe Network Albania & AIDA, Swiss EP, Easypay, Business Finland, si dhe një sërë partnerësh të tjerë publikë dhe privatë.
Shqipëria tregoi se me vizionin dhe guximin e të rinjve të saj, mund të udhëtojë larg, shumë më larg sesa kufijtë e saj gjeografikë. Ashtu si vetë idetë, burimi i të cilave shpesh mbetet mister, edhe vizioni i të rinjve shqiptarë nuk ka gjithmonë një shpjegim racional, por ka gjithmonë një busull që i orienton. Këtë herë, busulla na drejton drejt Helsinkit, më 19–20 nëntor. Si fitues të çmimeve dhe të ëndrrave që tashmë kanë marrë formë.