Rriten me 48% të ardhurat nga pasuritë e sekuestruara, 2025-a pritet të shënojë shifra rekord

3 Nëntor 2025, 20:18Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) raporton një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga qiradhënia e pasurive nën administrim gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, 162.2 milionë lekë janë arkëtuar deri në fund të shtatorit, krahasuar me 109.5 milionë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë – një rritje prej 48.2%.

Muaji shtator ka rezultuar më i miri i vitit, me 22.4 milionë lekë të ardhura, gati 49% më shumë se shtatori i vitit të kaluar. Sipas agjencisë, kjo ecuri është nxitur nga formalizimi i kontratave të reja të qirasë, veçanërisht gjatë muajve mars, korrik dhe shtator.

Nëse trendi aktual vijon, të ardhurat vjetore pritet të kalojnë 200 milionë lekë, duke shënuar rekordin më të lartë historik në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.

“Në krahasim me vitin 2024, të ardhurat e këtij viti janë rreth 53 milionë lekë më të larta, duke reflektuar një performancë më të mirë pothuajse çdo muaj”, deklaron AAPSK.

Por përtej shifrave, Agjencia thekson se po fokusohet gjithnjë e më shumë në përdorimin social të pasurive të konfiskuara, në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, për t’i kthyer asetet në shërbim të komunitetit.

“Suksesi nuk matet vetëm me të ardhurat, por edhe me mënyrën se si këto pasuri kthehen në vlerë për shoqërinë”, thuhet në njoftimin e AAPSK.


Video