Ministria e Financave po punon për unifikimin e legjislacionit për investimet, që në finale synon të thjeshtojë procedurat, reduktojë burokracinë dhe sigurojë më shumë transparencë.
Projektligji, që është në fazë të avancuar hartimi do të shfuqizojë morinë e ligjeve, vendimeve të Qeverisë dhe rregulloreve që janë në fuqi aktualisht, përfshi këtu edhe ligjin kontravers të investitorëve strategjikë.
Ndërhyrjen në kuadrin ligjor e njoftoi ministri i Financave, Ervin Mete.
“Po punohet gjithashtu për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligji të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritar”, deklaroi ministri gjatë aktivitetit të prezantimit të gjetjeve të anketimit të shoqatës së investitorëve të huaj për klimën e biznesit në Shqipëri.
Ligji për investitorët strategjikë u miratua në vitin 2015-të si i përkohshëm deri sa të miratohej një ligj i ri, që do të unifikonte praktikat e investimeve si për të huajt, ashtu edhe për bizneset vendase. Hyrja në fuqi e tij shfuqizoi ligjin për investimet e huaja në atë kohë, ndërsa nga mazhoranca u mbrojt me argumentin se do të përthithte investitorë strategjikë të huaj.
Nga ky ligj kanë përfituar statusin e investitorit strategjik gati 50 projekte. Pjesa dërrmuese e tyre janë shqiptarë dhe investimet janë të përqëndruara në bregdet në ndërtim vilash e hotelesh luksoze.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.