Rritja ekonomike në vitin 2023 u përqendrua tek ndërtimi dhe shërbimet

1 Shkurt 2024, 12:26Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ekonomia po rritet mbi mesataren e dekadës së shkuar po rimet e rritjes janë përqendruar vetëm në dy sektorë të ekonomisë vitin e kaluar, ndërtimi dhe shërbimet (turizmi).

Duke analizuar komponentët e rritjes ekonomike Ministria e Financave pret që PBB-ja e vitit 2023 të rritet me 3.5 për qind (9-mujori = 3,25%), por kontribuuesit e vetën në këtë rritje do të jenë ndërtimi 0.7pikë % dhe shërbimet me 2.6 pikë % (shiko grafikun e mëposhtëm), ndërsa kontributi i sektorëve të tjerë, bujqësisë dhe industrisë do të jetë zero.

Përqendrimi i rritjes ekonomike zvogëlon shpërndarjen e përfitimeve në popullsinë e gjere dhe ne shtresat në nevojë. Struktura e rritjes ekonomike tregon që familjet që i kanë të lidhur të ardhurat me bujqësinë dhe industrinë, përkundrazi do të kenë përkeqësim, teksa të dy këta sektorë kontribuojnë në 60% të punësimit në vend.

Rritja e pagës minimale 4 herë brenda janarit 2022-prillit 2023, forcimi i lekut, rënia e kërkesës nga jashtë e ka vëne në vështirësi industrinë shqiptare. Këtë muaj mijëra persona dolën të papunë, pasi fabrikat nuk mundën të rishikonin me rritje çmimet e kontratave me klientët europian. Më e goditura është industria e fasonit dhe kryesisht linjat e prodhimit në qarqe.

Gjithashtu bujqësia ka frenuar ritmet e rritjes në mënyrë të qëndrueshme, por dy vitet e fundit sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies.

Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se, në tremujorin e tretë të vitit 2023, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.4%, kjo ishte rënia më e madhe që nga tremujori i katërt 2021 ku moti i keq dëmtoi prodhimin e sezonit. Gjithashtu më 2022 bujqësia qëndroi në vend numëro, teksa ekonomia e vendit u rrit me 4.86%.

Ministria e Financave në Kuadrin e ri Makroekonomik parashikon që gjatë periudhës 2025-2027 nga pikëpamja e ofertës agregate pritet që të gjithë sektorët kryesorë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike.

Specifikisht, bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 2.4 për qind në vit në terma realë përgjatë periudhës 2025–2027, me një kontribut mesatar vjetor në rritjen ekonomike prej rreth 0.4 pikë përqindje edhe pse tre vitet e fundit sektori ka qenë në vendnumëro. Industria pritet të rritet me një mesatare vjetore prej rreth 4.7 përqindësh dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.5 pikë përqindje. Edhe ky parashikim mbi industrinë është optimist, pasi operatorët më të mëdhenj brenda sektorit nuk presin një vit të mbarë as ketë vit.

Ndërtimi pritet të rritet me një mesatare vjetore prej rreth 2.6 përqindësh dhe kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.3 pikë përqindjeje dhe shërbimet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 4.5 përqindësh dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 2.2 pikë përqindjeje.

Video