
Më shumë se gjysma e shqiptarëve (55.3%) e konsideronin veten subjektivisht të varfër, sipas një publikimi të Eurostat për vitin 2022, por që të dhënat e Shqipërisë janë deri në vitin 2021.
Në këtë renditje, shqiptarët ndihen të dytët më të varfrit e Europë, me mbi dy herë më shumë se mesatarja e BE-së (24.8%). Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndihen subjektivisht të varfër.
Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Europian (BE) mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidatëve. Treguesit përdorin, si bazë, informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.
Nga vendet e rajonit më pak të varfër ndihen serbët me 44% që e perceptojnë se janë të varfër, po për vitin 2021, Maqedonia e Veriut me 47.2%, Kosova 47.3 (për vitin 2019), Mali i Zi me 50.1%.
Sipas gjinisë, 54.7% e meshkujve shqiptarë e konsiderojnë veten të varfër, përkundrejt 55.6% të femrave. Sipas grup moshave, të moshuarit janë ata që e ndjejnë veten më shumë të varfër në vend. Sipas të dhënave të Eurostat, 58.4% e të moshuarve (mbi 65 vjeç) e konsideronin veten subjektivisht të varfër.
E lartë është dhe përqindja e fëmijëve deri në 18% vjeç që e mendojnë njëlloj, me 58.1%, nga 43% që është psh në Serbi. Kjo përqindje ulet në 54.5% për grupmoshën 18-64 vjeç.
Sa më i ulët niveli arsimor, aq më e lartë është varfëria e perceptuar, teksa 66.8% e personave me arsim të ulët e konsiderojnë veten të varfër, nivele të ngjashme këto me vendet e rajonit.
Për ata që kanë arsim të mesëm, shifra është 50.9%.
Për personat me arsim të lartë, treguesi përmirësohet dukshëm, një dukuri që konstatohet për të gjitha shtetet, me 28.3% të tyre që e konsideronin veten subjektivisht të varfër. Më mirë në rajon janë të arsimuarit e Serbisë, me 22.2%.
Gjithsesi, në krahasim me mesataren europiane prej 9.2%, të arsimuarit shqiptarë ndihen tre herë më të varfër.
Të arsimuarit shqiptarë (28.4%) ndihen pothuajse njësoj të varfër me shtetasit e Bashkimit Europian me arsim fillor (29.5%).