Koncesionet, gropa e buxhetit për vitin 2024, 1.3 mld lekë më shumë se viti që po lëmë pas

20 Nëntor 2023, 11:35Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kontratat koncesionare do të marrin më shumë parà nga buxheti i shtetit për vitin 2024. Sipas projektbuxhetit që u votua pak më parë në Kuvend, për vitin që vjen janë akorduar në total 14.3 mld lekë apo rreth 1.3 mld lekë më shumë se buxheti i vitit 2023, ku financimi për koncesionet ishte rreth 13 mld lekë.

Në total janë 10 kontrata që financohen, teksa peshën më të madhe të buxhetit të koncesioneve e ka ndërtimi i rrugës së Arbrit. Për këtë kontratë, në total për vitin 2024 janë akorduar 3.5 mld lekë. 2 kontratat e tjera në sektorin e rrugëve që do të financohen për vitin që vjen janë ato të autostradës Milot – Morinë dhe të aksit Porti i Jahteve –Orikum – Dukat, teksa buxheti total për koncesionet në sektorin e transportit rrugor arrin në rreth 5.2 mld lekë.

Ndërkaq, për vitin 2024 është parashikuar mbështetje buxhetore edhe për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë, ku përfshihet kontrolli shëndetësor bazë, i njohur ndryshe si check –up, sterlizimi i instrumenteve kirurgjikalë, ofrimi i shërbimeve laboratorike dhe koncesioni i hemodializës. Kontratat e partneritetit publik –privat në sektorin shëndetësor do të financohen në total, me një shumë prej 5.4 mld lekësh.

Paralelisht, buxheti i vitit që vjen parashikon edhe financimin e kontratës për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, me një vlerë prej 1.27 mld lekë, teksa buxheti për këtë kontratë ka pësuar rritje në raport me vitin 2023. 2 kontratat e tjera që do të marrin parà nga buxheti 2024 janë ato të infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë, si dhe kontrata e shërbimit të skanimit të dogana. Ndërkaq, 3 kontrata të tjera për ndërtim e inceneratorit të Elbasanti, Fierit dhe aksin  Milot – Balldren, tashmë janë joaktive.

Gati gjysma e shumës së dhënë për koncesionet është nën hetim

Nga këto 12 koncesione, për pesë prej tyre- tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi- është hapur hetim zyrtar nga SPAK me akuza nga korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash, ndërsa ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve. Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024 është rreth 40 miliardë lekë (rreth 380 milionë euro), që përbën 46% të pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!

Video