Kujt po i japin kredi bankat? Ulen financimet për ndërtuesit e tregtarët

18 Nëntor 2023, 11:39Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Viti 2023 ka sjellë një ndryshim të dukshëm të sektorëve të mbështetur me kredi nga bankat. Gjatë gjithë këtij viti është shënuar ngadalësim i rritjes së kredisë tek të gjithë sektorët e ekonomisë, me përjashtim të sektorit të shërbimeve. Financimi i këtij sektori ka ndjekur një tendencë rritëse nëpër nëntë muajt e parë të vitit 2023, duke qëndruar mesatarisht rreth 10.6% më lart se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Trendi rritës i sektorit si dhe perspektiva pozitive e tij kanë vënë në një emërues të përbashkët si kërkuesit e kredisë dhe ofruesit e saj. Nga ana tjetër, sipas analizës së bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i ritmeve të rritjes së kredisë ka qenë më i dukshëm në sektorin e ndërtimit – ku financimi në tremujorin e tretë u rrit vetëm me 5% nga 15% në gjashtëmujorin e parë – dhe më i përmbajtur në sektorin e tregtisë dhe bujqësisë. Përsa i përket sektorit të industrisë, kredia për të është tkurrur prej fillimit të vitit në reflektim të dobësisë së kërkesës për financim, kryesisht nga sektori i energjetikës. Në tremujorin e tretë, kreditimi i këtij sektori ra me 10% në krahasim me 7% në gjashtëmujorin e parë.

Pas një fillimi viti të karakterizuar nga norma interesi në kahun rritës, muajt e fundit, interesat e kredisë për bizneset në lekë janë ulur. Aktualisht, ato janë lehtas më lart se niveli që kishin para fillimit të ciklit të rritjeve të normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë. Interesat e kredisë në euro ndërkohë vijojnë të regjistrojnë rritje minimale, por graduale muaj pas muaji. Ato po pasqyrojnë rritjet e normës bazë të euros nga BQE-ja gjatë gjithë kësaj periudhe. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit, ulja e interesave tek kreditë në lekë ka qenë më e fortë tek kategoria e kredive të mëdha, ndërkohë që tek kreditë në euro rritja e interesave ka qenë e shpërndarë në mënyrë të barabartë tek të dyja kategoritë.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për biznesin në tremujorin e tretë rezultoi 6.4% nga 6.9% që ishte në gjysmën e parë të vitit. Norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve rezultoi 6.4% në tremujorin e tretë të vitit nga 5.8% në pjesën e parë të vitit dhe 5.4% një vit më parë.

Video