OSHEE faturon si dëm ekonomik 2.8 përqind të energjisë së vjedhur/ Procedohen 11 subjekte private

17 Nëntor 2023, 13:54Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mundur të faturojë një sasi të vogël të vjedhjeve të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, për 9 – mujorin 2023 janë faturuar si dëm ekonomik 9,076 mWh energji, ndërkohë që niveli i humbjeve joteknike, ku përfshihen vjedhjet për këtë periudhë është 323,402 mWh energji. Kjo do të thotë se OSHEE iu ka shitur klientëve si dëm ekonomik vetëm 2.8% të humbjeve joteknike.

Prej vitit 2020, kushdo që vjedh energjinë elektrike penalizohet me ‘gjobë kilovatësh” apo thënë ndryshe, sasia e energjisë e konsumuar në formë të paligjshme, konvertohet në lekë dhe faturohet. Rregullorja i jep të drejtë çdo përdoruesi të rrjetit për t’u ankuar pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes apo Entit Rregullator të Energjisë, në rast se kundërshton faturën e dëmit ekonomik të vendosur nga OSSH, ose pretendon se kjo e fundit nuk ka ndjekur dhe zbatuar rregulloren.

Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë u njoftua se gjatë kontrolleve në muajin tetor nga ana e OSSH-së, pjesë e OSHEE Group, u konstatuan raste të abuzimit me energjinë elektrike në disa zona të vendit.

Ndërkohë që, nga raporti i punës së Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve, referuar 1584 kontrolleve të ushtruara në rang vendi, janë zbuluar dhe proceduar në Policinë e Shtetit 11 subjekte private, pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur energji elektrike me linjë të dyte ose duke ndërhyrë në matës.

Video