Klasi i energjisë së pajisjeve, projektligji/ Etiketa mbi konsumin, gjoba “të majme”në rast shkeljesh

16 Nëntor 2023, 12:15Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Furnizuesit dhe tregtarët do të kenë detyrime të reja në drejtim të etiketimit të produkteve për klasin e energjisë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin, që ka si qëllim vënien në dispozicion të informacionit mbi konsumin e energjisë dhe burimeve të tjera, të produkteve me ndikim në energji për konsumatorin fundor.

Sipas relacionit shoqërues, etiketa duhet të përfshijë informacione standarde të produkteve në lidhje me eficiencën e energjisë, konsumin e energjisë dhe të burimeve të tjera gjatë përdorimit, duke u mundësuar kështu klientëve që të zgjedhin produkte më eficiente në mënyrë, që të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë.

Ligji jep edhe detaje mbi përmbajtjen që duhet të ketë etika apo pozicionimin e saj, duke specifikuar se ajo duhet të ketë karakteristika dizenjimi sa më të njëtrajtshme, përmes grupeve të produkteve dhe në çdo rast, të jetë qartësisht e lexueshme dhe e dukshme.

Formati i etiketës do të mbajë si bazë klasifikimin, duke përdorur shkronjat nga “A” në “G”, ku hapat e klasifikimit korrespondojnë me kursimin e energjisë dhe kostos nga pikëpamja e përdoruesit fundor. Ndërkaq, dokumenti parashikon edhe vendosjen e gjobave, në rast të shkeljes së detyrimeve nga ana e furnizuesve apo tregatrëve.

Në varësi të shkeljes së konstatuar gjobat mund të jenë sa dhjetëfishi deri në pesëdhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor.

Video