
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2024, me 10 vota pro, dhe një votë kundër që ishte ajo e Edmond Spahos i cili ishte i vetmi nga opozita që mori pjesë në komision.
Deputetja Antoneta Dhima, tha se “komisioni i Ekonomisë ka diskutuar në mbledhjet përkatëse në parim dhe në tërësi projektbuxhetin 2024 për të ardhurat, shpenzimet dhe borxhin publik, si dhe ka shqyrtuar paketën fiskale që do të zbatohet vitin që vjen.
Sipas saj, komisioni ka zhvilluar dëgjesë me ministrat e dikastereve të Ekonomisë, Bujqësisë, Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ku është njohur më në detaje me mbështetjen që adreson projektbuxheti 2024 për reformën e rritjes së pagave dhe pensioneve, rritjen e të ardhurave, mbështetjen sociale, vijimin e konsolidimit fiskal dhe decentralizimin e qeverisjes.
Projektbuxheti 2024 projekton rritje të financimit në të gjithë sektorët kryesorë, siç janë arsimi, mbrojtja, drejtësia ku buxheti është dyfishuar, ndërsa për mbrojtjen, për herë të parë buxheti është rritur në 2% të PBB-së, duke përmbushur kështu një detyrim si vend anëtar i NATO-s. Sa i përket arsimit buxheti 2024 ka një rritje të ndjeshme të pagave dhe rritje ndaj totalit të shpenzimeve për arsimin vendor që arrin në 78.8 miliardë lekë me rritje 9.8 milionë lekë ose afro 100 milionë lekë.
Sa i përket buxhetit vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisjeje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023.