Borxhi i jashtëm publik vazhdon të rritet ndjeshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat për këtë vit tregojnë rritje të mëtejshme të obligimeve ndaj kreditorëve të jashtëm.
Borxhi i jashtëm është pjesa e borxhit të një shteti, të marrë hua nga huadhënës të huaj, përfshirë banka komerciale, qeveri ose institucione financiare ndërkombëtare. TRT Balkan analizoi shifrat e Ballkanit Perëndimor për vitin 2022, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të institucioneve vendore, Bankave Qendrore dhe Ministrive të Financave.
Në të gjithë rajonin, situata më kritike duket në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Borxhi i jashtëm i Malit të Zi është 68.4%, sipas të dhënave zyrtare nga Podgorica, duke e kaluar nivelin kritik prej 60%, sipas standardeve ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, i afrohet shumë këtij niveli, me borxhin e jashtëm që arrin 58.3% të PBB-së.
Ndërsa Kosova është vendi me borxhin më të ulët të jashtëm në rajon, sipas të dhënave nga Ministria e Financave e Kosovës. Me 580 milionë euro detyrime të jashtme, Prishtina është e vetmja që nuk kalon as 1 miliardë euro borxhe të jashtme në rajon, ndërsa ky borxh përbën rreth 6.87% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bosnjë e Hercegovina gjithashtu ka nivel mjaft të ulët të borxhit të jashtëm, me rreth 22.2% nga PBV-ja e tyre.
Për sa i përket vendit tonë, Shqipëria ka borxh të jashtëm shtetëror që arrin 34.1% të PBB-së, ndërsa borxhi i jashtëm i Serbisë shkon mbi 20 miliardë euro, që është 34.5% e Prodhimit të Brendshëm.
Borxhi i përgjithshëm i shteteve të Ballkanit Perëndimor është shumë më i lartë se kaq, nëse përfshihen detyrimet edhe ndaj kreditorëve të brendshëm. Për shembull, borxhi i përgjithshëm i Malit të Zi, si vend me më shumë borxhe në rajon, arrin 75% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.