Projektrregullorja e re e Bankës së Shqipërisë për kreditimin nga subjektet financiare jo banka ashpërson kriteret e huamarrjes, përsa u përket individëve që aplikojnë, ashtu edhe për orarin.
Aktualisht, subjekte të caktuara mikrofinanciare kanë ofruar shërbimin e kreditimit 24 orë përmes sistemeve të automatizuara dhe bankomateve të vendosura nëpër qëndrat e mëdha urbane. Banka e Shqipërisë propozon që fasha orare e kreditimit të kufizohet dhe të mos lidhen kontrata të reja huamarrjeje nga ora 22 e natës deri në orën 07:00 të mëngjesit.
Kufizimi tjetër lidhet me ndalimin e kreditimit për personat nën 18 vjeç, ata me aftësi të kufizuar, ata nën tutelën e një personi tjetër, apo edhe për bizneset në pronësi të personave që nuk u lejohet që të lidhin kontratë kredie sipas këtyre kufizimeve.
Kreditimi i shpejtë ka pësuar një rritje të fortë vitet e fundit falë kushteve të lehtësuara të lëvrimit të tyre, kërkesave minimale në dokumentacione dhe shpejtësisë së miratimit përkundrejt kushteve më strikte që kanë bankat e nivelit të dytë.
Por, këto lehtësi janë shndërruar në thikë me dy presa pasi huadhënia ofrohet me interesa më të larta dhe kryesisht për konsum, çka vështirëson si aftësinë paguese, ashtu edhe atë të mbledhjes së tyre në rastet e një huamarrje të keqe.