Deklarimi real i pagave? Cilat janë 7 masat që do të merren në tregun e punës?

23 Shtator 2024, 13:34Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria do të ndërmarrë një tjetër reformë që synon deklarimin real të pagave të punonjësve nga bizneset në vend por edhe ndërhyrje në punësimin informal. Referuar strategjisë aftamesme të të ardhurave 2024-2027, punësimi informal i punonjësve përfshin 4 komponentë: mosregjistrim i punonjësve, mosdeklarimi saktë i pagës, mosdeklarim i saktë i kohës së punës dhe mosdeklarim i saktë i kategorisë së punësimit ose profesionit.

Sipas dokumentit gjatë periudhës 2019-2023, numri i pozicioneve të punës është rritur me 33,343 ose 5%, ndërsa të ardhurat nga kontributet janë rritur me 45 miliard lek ose 47%. Ndikim në normën e lartë të rritjes së kontributeve kanë ndikuar reformat e pagave në administratën publike pra rritja e pagave ndjekur edhe nga sektori privat. Të dhënat e deri tanishme tregojnë për rritje të konsiderueshme ndër vite të numrit të pozicioneve të punës nga 699,801 në vitin 2019 në mbi 733 mijë në vitin 2023.

Por rritja e deklarimit të pagës reale është prioritet i administratës tatimore e cila gjatë vitit që lamë pas ka pasur një fokus të shtuar tek elementët e pagës, duke evidentuar çdo detyrim në kontributet sociale dhe shëndetësore dhe duke gjurmuar e hetuar skemat e mundshme të ngritura nga këto subjekte për mospagesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Periodikisht, në mënyrë mujore evidentohen tatimpaguesit të cilët nuk deklarojnë, deklarojnë me zero ose ndryshojnë deklaratat e mëparshme me ulje.

Në kuadër të kësaj strategjie, nën këtë komponent janë parashikuar 7 masa që do ndërmerren për të adresuar fenomenin. Të tilla janë: Hartimi i një plani të integruar në drejtim të mosdeklarimit të punonjësve; Përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për koordinimin e veprimeve në kuadër të identifikimit të punës së padeklaruar ose nëndeklaruar; Analizimi i kategorive të personave të cilët kanë detyrimin të plotësojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave; Përmirësimi i analizave dhe shkëmbimit të të dhënave me palë të treta për të punën e padeklaruar ose nëndeklaruar; Fushata të ndërgjegjësimit publik lidhur me përfitimet e pagesës së kontributeve; si dhe: Zhvillimi i partneriteteve me përfaqësuesit e biznesit dhe të komunitetit për identifikimin e  informalitetin në punësim.

Nga kjo reformë synohet të arrihet rritja e deklarimit të pagës reale të 16 % të punësuarve, në fund të 2027 dhe rritja e numrit në skemën e kontribuesve me 5.5 %.

 

 

Video