Teksa rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike duket se është fokusuar te centralet e diellit, gjatë vitit 2024 janë dhënë edhe një numër licencash për hidrocentrale. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë janë 7 subjekte të licencuar në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, teksa numri i HEC-eve që parashikohet të ndërtohet prej tyre është 8. Sa i takon kapacitetit të instaluar bëhet fjalë për impiante të vegjël, ndërsa në total fuqia e instaluar arrin në gati 31 MW.
Këto licenca i shtohen atyre të dhëna për energjinë diellore, që përgjatë këtij viti numëron një sërë kompanish të licencuara. Deri në këtë periudhë të vitit numërohen 10 kompani të licencuara, teksa kapaciteti total për projektet e tyre është 202.6 MW. Ky trend ndjek atë të 2 viteve të fundit, që është karakterizuar nga një rritje e numrit të kompanive të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli.
Ndërkaq, ndryshe paraqitet situata për energjinë e erës, që aktualisht mbetet e pashfrytëzuar në vendin tonë. Edhe gjatë këtij viti nuk është licencuar asnjë kompani në këtë aktivitet, teksa numërohe vetëm 2 licenca aktive të dhëna nga Enti Rregullator i Energjisë në vitet 2007 -2008.