Investimi 197 mln USD tek Bulevardi i Ri, shtyhet afati për negocimin

3 Korrik 2024, 11:24Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka vendosur të bëjë nga 6 muaj në 8 muaj afati për ngritjen e grupi dhe negocimin e kushteve për llogari të qeverisë me investitorin strategjik që do të zhvillojë projektin “The Cliffs” në Bulevardin e Ri.

Një vendim i fundit i miratuar nga KIS parashtron gjithashtu se tashmë ministria që do të jetë e përfshirë në këtë proces do të jetë ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në vend të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë pas ndryshimeve që u bënë në fund të vitit të shkuar në riorganizim.

“Kudo në vendim emërtesa “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Invacionit”. b) Në pikën 10, fjala “…6 (gjashtë)” muajve…” zëvendësohet me “…8 (tetë)” muajve…”” thuhet në vendim.

Pika 10 e vendimit të mëparshëm specifikonte: Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve që të ngrenë menjëherë një grup negociues së marrëveshjes së zhvillimit dhe brenda 6 (gjashtë) muajve nga njohja me këtë vendim të negociojnë me subjektin propozues marrëveshjen në fjalë për zhvillimin e investimit dhe vënien në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore për projektin investues në zonën me përparësi zhvillimin e turizmit. Grupi negociues kryesohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.

Në përfundim të negocimit me subjektin investues, ministria përgjegjëse për turizmin propozon marrëveshjen e zhvillimit për miratim në Këshillin e Ministrave dhe vënien në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore për projektin investues me kohëzgjatje deri në 99 vjet nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro. Marrëveshja për realizimin e investimit strategjik do të propozohet për miratim me ligj të posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me nenin 35, të Ligj Nr. 93/2015 “Për Turizmin”, i ndryshuar.

Projekti 197 milionë USD ku shteti do të marrë zyra

Në gusht të vitit të shkuar KIS i dha statusin e investimit/investitorit strategjik për një periudhë 5-vjeçare një subjekti të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Projekti “The Cliffs” propozohet nga grupi i investitorëve të huaj Adriatic Resorts LLC, kompani e së drejtës amerikane me adresën zyrtare në Cheyenne, WY, USA, ortake e vetme e Adriatic Resorts Holding UK Limited, shoqëri e së drejtës angleze, me numër kompanie 14320966, me zyra qendrore në Londër, Angli, për t’u realizuar nëpërmjet subjektit Adriatic Resorts sh.a. NUIS M22221001A, me ortak të vetëm Adriatic ResortsHolding UK Limited, përfituesit fundor të të cilit janë deklaruar nga subjekti sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Projekti parashikon zhvillimin e një strukture akomoduese, e cila do të përfshijë një hotel me pesë yje me përafërsisht 250 (dyqind e pesëdhjetë) dhoma, 60 (gjashtëdhjetë) njësi të tjera akomodimi me shërbim luksoz, bare, restorante, njësi tregtare, kafene, hapësira për mbledhje dhe argëtim, SPA, pishinë dhe hapësira rekreative, kazino, si dhe vend parkim për mbi 600 (gjashtëqind) makina” thuhet në dokument.

Ndërkohë zona ku do të zhvillohet konkretisht projekti I takon pjesës së njohur si stacioni hekurudhor” thuhej në vendimin e mëparshëm të KIS. Shteti në këmbim të tokës qe duket se do t’i verë në dispozicion investitorit do të marre 12.5 mijë metra/katror ndërtim për zyra të institucioneve. Pasuria e paluajtshme me sipërfaqe prej 19,000 m2, e llojit “truall” për të cilën bëhet fjalë se do të zhvillohet nga investirori ka kaluar në administrim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit më herët gjatë 2021-it.

Vendimi i ri i KIS i 7 majit 2024 saktëson se cila është masa mbështetëse për subjektin dhe si do të bëhet negocimi.

“Masa mbështetëse që iu miratua në parim subjektit me vendim të KIS ishte vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme në pronësi “shtet”, e llojit “truall”, në ZK 8340 me numër pasurie 8/76, në Tiranë.

Miratimi përfundimtar i kësaj mase dhe marrëveshja e zhvillimit që do të negociohet ndërmjet subjektit propozues dhe grupit negociues do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe më pas do të propozohen për miratim me ligj të posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me nenin 35, të ligjit nr. 93/2015, “Për Turizmin”, të ndryshuar” thuhet në vendim.

Video