Sipas CENSIT, shumica e shqiptarëve jetojnë në shtëpi deri 69 m/katror

2 Korrik 2024, 09:35Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë jetojnë në një banesë e cila varion nga 40-69 metër katror.  Referuar të dhënave të Censit2023, vendi ynë numëron në total  726 325 banesa të zakonshme të banuara, me një rritje prej 16.460 njësish në raport me vitin 2011.

Sipas INSTAT, peshën më të lartë ndaj totalit, konkretisht 341 983 e përbëjnë njësitë me maksimumin e sipërfaqes në 69 m2, hapësirë e cila më së shumti ndahet midis 2 deri në 5 anëtarë.

Ndërsa 172 398  janë banesa me hapësirë nga 77-99 m katror në të cilën jetojnë kryesisht familje përsëri nga 2-5 anëtarë

Ajo që vihet re nga të dhënat është një numër i konsiderueshëm i popullsisë që banojnë në nën sipërfaqen 40 metër katror, ku numri i këtyre njësive regjistrohet 127 552 të tilla,  dhe një pjesë të konsiderueshme zënë familjet me 4 dhe 5 anëtarë, edhe pse hapësira është tejet e vogël. Kjo vjen për shkak edhe të çmimeve në rritje të njësive të banimit vetëve të fundit ku qytetarët duke mos e përballuar koston e blerjes apo të qirasë të një banesë të madhe, janë orientuar deri shtëpive të vogla 1+1 apo garsoniereve, dhe pse nuk ofrojnë hapësirën normale të jetesës për individ.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se numri i qytetarëve që përballojnë banesa të mëdha është i vogël. Kështu janë vetëm  54 559 banesa nga 100-129 m katror dhe më të pasurit apo ata që disponojnë hapësira mbi 130 metër katror  përbëjnë shifrën më të vogël. Në vend regjistrohen vetëm  18.625 banesa me sipërfaqe të madhe të cilat disponohen nga familje nga 1-5 anëtarë.

Shifrat tregojnë edhe nivelin ekonomik të qytetarëve shqiptarë dhe aftësinë e tyre financiare për të përballuar jetesë normale, ku mesa duket pjesa më e vogël e popullsisë arrin që të sigurojë metrat katror për komoditet dhe hapësira të dedikuara për secilin anëtar të familjes.

Nga numri total i banesave të banuara, 360 233 janë shtëpi private, 261 594 janë apartamente dhe pjesa tjetër shtëpi pjesërisht të veçuar dhe shtëpi në rend tarracor.

Video