Gjykata Kushtetuese rrëzon pjesërisht tatimin mbi profesionet e lira

27 Qershor 2024, 18:18Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Holta Zaçaj

Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%.

Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.

Vendimi u bë publik nga kryetarja Holta Zaçaj.

Në një komunikim për mediat, Zaçaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën dhe rrëzoi tatimin me 15% për profesionet e lira.

“Është rrëzuar, pranimi i pjesshëm i kërkesës do të thotë që është pranuar kërkimi dhe është shfuqizuar neni që e bënte të aplikueshëm normën e tatueshme prej 15% për profesionet e lira”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës  dhe shfuqizimin e nenit 69 pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/ 2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore”, lexoi vendimin Zaçaj.

Gjykata Kushtetuese argumenton se kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.

E pyetur nga gazetarët, kryetarja e Kushtetueses ka treguar me detaje se çfarë konsiston në rrëzimin e pjesshëm të këtij ligji.

Pyetje: A mund të na shpjegoni saktësisht se çfarë u pranua dhe çfarë u rrëzua nga kërkesat që kemi dëgjuar nga palët?

Zaçaj: U pranua shfuqizimi i nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë dhe mund të jua citoj, në thelb u shfuqizua fakti që norma e tatimit 0% që i atribuohet individëve tregtarë, kategorisë tjetër brenda të njëjtës klasë, nuk aplikohej mbi tatimpaguesit që furnizojnë me shërbime profesionale. Mund të lexoj: Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit e përcaktuar në ndarje 2 i dhe 3 i, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi rregullues, lidhur me këto shërbime profesionale. Pra, u shfuqizua kjo dispozitë, e cila nuk lejonte që masa 0% e tatimit të aplikohej për kategorinë e të vetëpunësuarve që furnizojnë me shërbime profesionale, gjë që aplikohet në fakt mbi individët tregtarë. Pra, ajo shtyrja në kohë që ka parashikuar ligji për individët tregtarë në kuptimin e zbatimit të masës 15%, duke shfuqizuar këto 2 fjali.

Video