Bizneset morën më pak hua në maj, kryeson kreditimi i tregtisë me shumicë dhe me pakicë

28 Qershor 2024, 12:31Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e huave të reja të dhëna nga bankat për financim në nivel korporatash jofinanciare gjatë muajit maj ka pësuar rënie me 5% krahasimisht me një muaj më parë. Në këtë rënie kanë kontribuar negativisht 45% e sektorëve.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar sesi paraqitet kreditimi për secilin sektor gjatë muajit të 5-të të këtij viti. Sipas të dhënave rezulton se flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja ishin më të larta në sektorin e industrisë përpunuese dhe ndërtimit. Konkretisht huaja e re për këto sektorë fiksohet në 4.9 mld lekë  dhe 3.9 mld lekë respektivisht. Shifrat tregojnë se këta sektorë kanë ndjekur një prirje të ngjashme edhe me 55% të sektorëve të tjerë që po ashtu kanë shfaqur një zgjerim të portofolit të kredisë së tyre.

Nëse përllogarisim se ç’pjesë e huasë totale është shpërndarë për secilin sektor konstatojmë se pjesën më të madhe e zë “Tregtia me shumicë dhe me pakicë” me 35.2%, më pas ndjek “Industria përpunuese” me 18.2% dhe “Ndërtimi “me 16.6%. Kjo renditje mbetet e pandryshuar nga 4-mujori i parë i vitit. Në të kundërt, me nivelin më të ulët të kredisë së re gjatë majit paraqiten sektorët si “Aktivitete financiare dhe të sigurimit” dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” që zënë secili nga 0.5% të totalit.

Ndërkohë, nëse analizojmë zgjerimin e portofolit për secilin sektor në terma vjetorë, shifrat thonë se “Transporti dhe magazinimi” ka patur rritjen më të lartë me 274.5% dhe “Aktivitete financiare dhe të sigurimit” e ka zgjeruar portofolin me 119.5%. Nga ana tjetër, “Tregtia” edhe pse renditet si një nga sektorët me nivelin më të lartë të kreditimit në terma vjetorë, e ka rritur financimin me 62.7 % ndërsa “Ndërtimi” e ka ulur me 0.7%.

Video