Industria e rëndë, INSTAT: Prodhuam më pak naftë dhe minerale, rritje shënoi vetëm çimentoja

27 Shtator 2024, 14:06Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Prodhimi i naftës dhe mineraleve pësoi rënie gjatë vitit 2023, në raport me një vit më parë. Sipas rezultateve të Anketës së Produkteve Industriale, të publikuar nga Instituti i Statisitikave, rënia është shënuar si në sasi, ashtu dhe në vlerë, ndërkohë që për grupin e industrisë së rëndë, rritje është shënuar vetëm për produktin e çimentos. Të dhënat për këtë grup përfshijnë prodhimin e naftës bruto, hekurit, çelikut dhe forma të tjera primare, xeherorët dhe koncentratet e kromit, çimenton dhe betonin.

Sipas të dhënave të INSTAT,në total për këtë grup gjatë vitit 2023 u prodhua 6.141.026 ton produkte apo 3% më pak, në raport me vitin 2022. Ndërkohë që, vlera e shitjeve ka pësuar rënie me 9.5% gjatë vitit 2023, në raport me një vit më parë. Gjithsesi, vlera e shitjeve nuk lidhet drejtpërdrejt me sasinë e prodhuar, pasi i referohet shumës së faturuar nga shitja e produkteve industriale gjatë vitit referencë, pavarësisht kohës së prodhimit.

Rënien më të ndjeshme e kanë shënuar xeherorët, koncentratet e kromit dhe betoni, teksa sa i takon naftës bruto, të dhënat tregojnë një rënie me 10.664 ton gjatë vitit 2023, në krahasim me vitin 2022. Ndërkaq, sa i takon çimentos, prodhimi i saj duket se reflekton tendencën e ndërtimit, duke qenë se në vitin 2023 u prodhua gati 590.000 ton më shumë, se viti 2022.

Vrojtimi i INSTAT mbi produktet industriale kryhet me frekuencë vjetore pranë ndërmarrjeve të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese dhe ka si qëllim të ofrojë informacion mbi prodhimin dhe shitjen e produkteve industriale të realizuara nga ndërmarrjet që kryejnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë.

Video