
India ndaloi eksportet e grurit për shkak se një valë e të nxehtit uli prodhimin, ndërsa çmimet në vend u rritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Qeveria indiane njoftoi se do të respektojë kontratat e nënshkruara të shit-blerjes së grurit, por ndalohet nënshkrimi i kontratave të reja deri në një vendim të dytë.
India është prodhuesi i dytë më i madh i grurit, pas Kinës. Por, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, gjithashtu në listën e prodhuesve të mëdhenj të drithërave ka çoroditur zinxhirin e furnizimit global.
Përpara këtij urdhri, India planifikonte të eksportonte një sasi rekord prej 10 milionë tonë grurë këtë vit.
Sipas analistëve të tregut, vendimi mund të rrisë edhe më tej çmimet globale të grurit dhe do të prekë konsumatorët e varfër në Azi dhe Afrikë. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë e shtyu inflacionin vjetor të shitjes me pakicë të Indisë drejt nivelit më të lartë të tetë viteve në prill, duke forcuar pikëpamjen e ekonomistëve se banka qendrore do të duhej të rriste normat e interesit në mënyrë më agresive për të frenuar çmimet.
Çmimet e grurit në Indi janë rritur në nivele rekord, në disa tregje deri në 323 dollarë për ton.