Shteti duhet të vijojë të ofrojë mbështetje financiare për shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë dhe për sektorët më të ekspozuar ndaj goditjes.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot se është e domosdoshme që politikat fiskale të mbështesin shtresat më të brishta dhe më të goditur nga vala inflacioniste.
Megjithatë, sipas tij, kjo mbështetje duhet të financohet nga të ardhurat shtesë të siguruara nga rritja e çmimeve dhe nga rishikimi i shpenzimeve joprioritare. Në këtë mënyrë, efektiviteti i ndërhyrjes nuk do të dëmtojë treguesit e borxhit publik.
Sejko tha se sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve.
Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës. Megjithatë, sipas Sejkos, trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë.
Bazuar në informacionin aktual, Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim.
Guvernatori tha se politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të udhëhiqet nga respektimi i objektivit parësor i ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe në këtë frymë vendosi rritjen e normës bazë të interesit në muajin mars, duke e kthyer atë në nivelin e parapandemisë prej 1%.