
Deputeti socialist Erion Braçe i ka kërkuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të luftojë mashtrimet e call-center me Forex si dhe veprimtarinë kriminale të kriptomonedhave.
“Për shkak të aktivitetit kriminal të gjere të zbulur në tregun e kapitaleve, por edhe në tregun e aseteve virtuale kriptovalutave unë mendoja që Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare do i jepte rëndësi këtyre raporteve. Komisioni i Ekonomisë ka lënë detyra të qarta për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Sapo ishte shfaqur përmes call-center Forex. Ato detyra nuk janë përmbushur dhe tani fenomeni është kthyer në një fenomen kriminal.
U bëmë qendër e botës, turp i botës për shkak të raportimeve që erdhën nga agjenci ku qytetarët ishin mashtruar nga ky fenomen. Kemi goditur vetëm nga informacioni i tyre. Si ka qenë Autoriteti për të goditur këtë fenomen ndër vite. Në 2019 çfarë ka bërë Autoriteti në 2020 dhe 2021?. Referuar këtij fenomeni dua të di, apo agjenci të tjera që merren me krimin ekomomik a keni patur informacion dhe çfarë keni bërë.
Cili ka qenë aktiviteti i AMF për të goditur këtë fenomen? Çfarë ka bërë autoriteti për të zbatuar ato që la komisioni? Nga agjenci të tjera, përfshi SHISH apo agjenci të tjera që merren me krimin ekonomik, keni pasur informacion apo jo?
I njëjti fenomen kriminal është shfaqur në kriptovaluta. Parlamenti kreu një përpjekje të mirë muaj më parë duke miratuar legjislacionin e domosdoshëm për të rregulluar veprimtarinë në këtë fushë. Tani që kemi një bazë ligjore, cilat kanë qenë masat e marra nga autoritet për goditjen informate në këtë treg”, tha Braçe.
Deklarimet u bënë në komisionin e Ekonomisë, gjatë raportimit të veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2021.