Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e Alpha Bank Albania tek grupi bankar hungarez OTP, duke i hapur rrugë përqendrimit të mëtejshëm të tregut bankar në Shqipëri dhe uljen e numrit të përgjithshëm të bankave nga 12 në 11.
Në përfundim të analizës, Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se përqendrimi i synuar nuk shfaq shenja të kufizimit në mënyrë të ndjeshëm të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese. Megjithatë, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur monitorimin e sjelljes së shoqërisë OTP Bank Albania, për një periudhë 1 vjeçare.
Autoriteti i Konkurrencës ka analizuar eficiencën e konkurrentit që del nga tregu, nëpërmjet vlerësimit të indikatorëve të performancës financiare të tij sipas termave ekonomikë, rezultatit financiar, normë së kthimit të investimeve (ROE) dhe normës së kthimit të aseteve (ROA).
Sipas këtyre indekseve, si dhe mbështetur në modelin e vlerësimit dhe projeksionit të situatës financiare, rezulton se OTP Bank Albania ka tregues më të mire financiarë se Alpha Bank Albania, gjë që tregon se konkurrenti që do të mbetet në treg është më efektiv.
Marrëveshja mes grupit grek Alpha Bank dhe atij hungarez për blerjen e Alpha Bank Albania u njoftua zyrtarisht në fund të muajit dhjetor 2021. Grekët zgjodhën ofertën e hungarezëve prej 55 milionë eurosh për blerjen e 100% të aksioneve të bankës, megjithëse oferta e OTP ishte e dyta më e lartë në garë. Për grupin hungarez, kjo do të jetë blerja e dytë e rëndësishme në tregun shqiptar në më pak se katër vjet. Në vitin 2019, OTP hyri në Shqipëri duke blerë bankën shqiptare të grupit Societe Generale. Banka OTP Albania në fund të vitit të kaluar ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri dhe zotëronte 6.4% të aktiveve të tregut bankar, për një vlerë totale prej 114 miliardë lekësh. OTP është huadhënësi i katërt më i madh në ekonominë shqiptare, me një portofol prej 69 miliardë lekësh ose 10.6% të totalit të kredisë së dhënë nga sektori bankar.
OTP Albania e mbylli vitin 2021 me një fitim neto 1.9 miliardë lekësh. Mbështetur në të dhënat paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, OTP kishte me një kthim nga kapitali në nivelin 20.3%, më i lartë në sektorin bankar shqiptar për vitin e kaluar. Ndërsa Alpha Bank Albania në fund të vitit të kaluar raportontre një vlerë totale të aktiveve prej 80 miliardë lekësh ose 4.5% të tregut. Edhe Alpha e mbylli vitin 2021 me rezultat financiar pozitiv, në vlerën e rreth 88 milionë lekëve.
Transaksioni në fjalë do të sjellë një përqendrim të mëtejshëm të tregut bankar në Shqipëri dhe do ta ulë numrin e përgjithshëm të bankave në 11. Me blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut e OTP në Shqipëri pritet të arrijë në afërsisht 11% dhe do të vazhdojë të renditet e pesta në treg për nga madhësia, pas BKT, Credins, Raiffeisen, dhe Intesa Sanpaolo. Megjithatë, OTP do të fitojë një pjesë ndjeshëm më të larta në tregun e kredisë, ku do të arrijë në mbi 16% të totalit, duke kaluar BKT dhe duke u renditur si huadhënësi i tretë më i madh, pas Credins Bank dhe Raiffeisen Bank. Blerja e Alpha do t’i japë OTP një rritje të konsiderueshme edhe në tregun e depozitave, ku aktualisht mban 6.7%, ndërsa pas blerjes së Alpha do të arrijë në 11.3%, afërsisht me të njëjtën pjesë tregu sa Intesa Sanpaolo.
Për t’u finalizuar, blerja e Alpha Bank nga OTP duhet të miratohet edhe nga Banka e Shqipërisë, që në vitet e fundit është shprehur pozitivisht rreth procesit të konsolidimit të sektorit bankar./MONITOR