Hapen aplikimet: 2 mijë familje që duan panele diellore do të subvencionohen nga qeveria (Kriteret)

2 Tetor 2022, 13:24Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Qeveria ka hapur thirrjet për aplikim për subjektet që ofrojnë dhe instalojnë panele diellore, në kuadër të projektit pilot për të mbështetur 2 mijë familje që do të duan të impementojnë në shtëpinë e tyre panele diellore.

Thirrja për aplikime u publikua nga ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, e cila shkruan se qeveria do të subvencionojë 70% të shumës për çdo familje.

Ky projekt pilot i qeverisë vjen në kohën e krizës energjetike dhe ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike. Balluku thotë se me instalimin e paneleve diellore kursehet 20% e kostos së përgjithshme të faturës së energjisë elektrike.

“Ngrohja e ujit është 20% e faturës për çdo abonent familjar. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes AEE nis programin për subvensionim me 70% të shumës për çdo familje që do të aplikojë për një njësi diellore për ngrohjen e ujit. Kurseni 20% nga fatura juaj me këtë program dhe ndihmoni dhe ju me radhën tuaj për të ruajtur dhe ekonomizuar energjinë”, shkruan Balluku.
Subjektet e ineteresuara kanë kohë të aplikojnë deri më datë 18 tetor dhe të paraqesin dokumentet sipas kritereve të përcaktuara, ndërsa fituesi do të shpallet më datë 30 tetor. 

 Projekt pilot i qeverisë për 2 mijë familje është instalimi i paneleve diellore në pallate në mënyrë që të përdorin për ngrohje uji. Qeveria do t'i mbulojë 70% të kostos nëse ato vendosin të blejnë panele diellore. 

Kriteret për Aplikim për subjektet e tregtimit:

1)Subjekti (person fizik ose juridik) të jetë në status aktiv dhe i regjistruar në regjistrin tregtar sipas legjislacionit në fuqi, dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e financimit.
2)Të vërtetojë se nuk ka detyrime ndaj organeve tatimore.
3)Të jetë furnitor i dorës së parë ose distributor.
4)Dokumente që vërtetojnë se produkti plotëson standartet Europiane dhe çertifikimin CEN Solar Keymark që garanton cilësi të lartë të produktit, siguri në përdorim, jetëgjatësi dhe rendiment të lartë si dhe karakteristikat teknike të mëposhtme:

Karakteristikat teknike të depozitës së ujit.

Depozite uji material çelik-inoks - INOX 316L HiMo.
Termoizolimi i depozitës së ujit (polyurethane 70mm, 35-40Kg/m3).
Veshja e jashtme e depozitës së ujit 304BA çelik-inoks.
I gjithë sistemi të jetë me rezistence të lartë ndaj ndryshkjes.
Sistemi të jetë i përshtatshëm si për montim në çati ose tarracë.
Depozita e ujit te këtë kapacitet 200 litra.

Karakteristikat teknike të pasqyrave:

Kornizë alumini të anodizuar.
Sipërfaqja e pasqyrës me veshje blu e bërë nga fletë alumini 0.5mm të trasha, të salduara me teknologji lazer.
Tubat e brendshëm të jenë tërësisht prej bakri.
Izolim me tekstil me lesh xhami me trashësi 50 mm në anën e pasme dhe lesh guri 20 mm të trashë në konturet anësore.
Koeficienti i përthithjes α ≥ 0,95 ± 0,02
Emisiviteti sipërfaqësor (humbjet e rrezatimit sipërfaqësor) ε ≤ 0,05 ± 0,02.

5)Garancia e panelit diellor për ujë të ngrohtë dhe depozitës së ujit dhe materialeve përbërëse, te jetë jo më pak se 5 vite për depozitën e ujit dhe jo më pak se 7 vite për panelin diellor.
6)Skeda teknike e panelit diellor dhe impjantit konform kritereve teknike të kërkuara.
7)Preventivin/ofertën për impjantin duke përfshirë dhe kostot e transportit e instalimit, e cila nuk duhet të tejkalojë vlerën 140,000 Lek (pa TVSH). Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur.
8)Të deklarojë sasitë e paneleve diellore që mund të furnizojë për klientët familjarë.
9)Të deklarojë qytetet ku mund të ofrojë shërbimin.
10)Të pranojë kryerjen e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri tek kolaudimi i panelit diellor për ngrohjen e ujit brenda datës 30 Janar 2023.
11)Të angazhohet se pranon vetëm 30% të financimit nga abonentet familjarë dhe 70% të investimit nga Agjencia për Eficencën e Energjisë pas instalimit të panelit diellor.
12)Formular Vetëdeklarimi sipas Shtojcës 1

Video