Britania kundër amnistisë fiskale: Shqetësuese

27 Shtator 2022, 18:58Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Britania e Madhe e konsideron shqetësues propozimin për amnistinë fiskale dhe deklaron se nisma minon demokracinë.

Qëndrimi u bë në mënyrë të moderuar në deklaratën që Ambasada Britanike në Tiranë lëshoi për shtyp pas takimit të Ambasadorit Alastair King-Smith me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“U diskutuan gjithashtu mënyrat për të adresuar sfidat e përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe shmangien e ligjeve që do të ndërlikonin të tilla përpjekje, duke përfshirë propozimet shqetësuese për një amnisti fiskale”, thuhet në deklaratë.

Qeveria ka rikthyer një projektligj të hartuar që në 2019 për amnistinë fiskale. Projektligji amniston fiskalisht dhe penalisht të gjithë ata që do të deklarojnë brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij të ardhurat deri në 2 mln euro.

Qeveria thotë se nuk do të amnistojë të ardhurat nga krimi i organizuar dhe trafiqet.

Video