Pikat e grumbullimit të fruta perimeve në vend aplikojnë praktika kundër konkurrencës, duke koordinuar çmimet e blerjes së produkteve nga fermerët, duke mos negociuar çmimin e ofruar, ushtrojnë presion ndaj fermerëve për uljen e çmimit dhe shlyejnë detyrimet që kanë me vonesë.
Këto janë gjetjet e një hetimit të nisur nga Autoriteti i Konkurrencës te disa pika grumbullimi me shumicë të fruta perimeve në Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë. Autoriteti thotë se pas vlerësimit të praktikave ka gjetur se grumbulluesit koordinojnë çmimet e blerjes së prodhimeve, ku në shumicën e rasteve fitimi për ta është dy herë më i lartë se kostoja e prodhimit.
Sipas deklaratës, Komisioni i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë subjekte (Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland2012 SHPK) që ushtrojnë aktivitetin në këtë treg. Në deklaratë nuk jepet masa e gjobës së vendosur, por thotë se vendimi ka një ndikim të drejtpërdrejt në zinxhirin ushqimor dhe është sinjal i qartë se autoriteti mbron interesat e fermerëve, që e quan një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociatat e shitjes së prodhimeve.
Veç gjobës, gjashtë bizneset në fjalë janë të detyruar që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet e produkteve që grumbullojnë dhe janë subjekt monitorimi për një vit. Ndërkohë, komisioni i rekomandon Ministrisë së Bujqësisë formalizimin e tregut dhe krijimin e një burse për prodhimet bujqësore.