
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner ka kërkuar që prej vitit 2023 të marrin fund paketat miliardëshe të ndihmave për ekonominë gjermane. Pra të marrë fund dhënia pa pushim e ndihmave dhe subvencioneve, që nisi kryesisht me pandeminë.
Prej vitit të ardhshëm, sipas tij, Gjermania duhet të respektojë frenën e borxhit, që ka në kushtetutën e saj. Frena e borxhit lejon borxhe të reja vjetore deri në 0,35% të PBB të Gjermanisë. Sipas Ministrisë gjermane të Financave, kjo mënyrë veprimi është përgjigjja e duhur ndaj rritjes së dobët ekonomike dhe inflacionit.
Ky është thelbi i një dokumenti strategjik, të prezantuar së fundi nga Ministria Federale e Financave. Të martën pas këshillimeve në Bruksel me ministrat e Financave të BE, Lindneri kërkoi një normalizim të shpejtë të marrjes së borxheve. Ai tha se "nuk kemi nevojë për stimulim të konjukturës” sepse situata është e ndryshme nga pandemia e koronavirusit.
Të njëjtin argument Lindneri e paraqiti edhe në dokumentin strategjik të Ministrisë së tij, ku ai tërheq vëmendjen se librat e porosive të shumë sipërmarrjeve gjermane janë të mbushur.
Ky qëndrim ka tërhequr vëmendjen. Ende nuk bëhet fjalë për një vendim të qeverisë gjermane, por për një qëndrim të Ministrisë Federale të Financave, një nga ministritë qendrore në qeverinë gjermane. Kjo ministri drejtohet nga një ministër liberal konservator, Christian Lindneri, i vetmi me profil të djathtë mes dy partive të majta në koalicionin qeveritar gjerman.
Dokumenti strategjik, i përmendur më lart, ende duhet të koordinohet me ministritë e tjera, që mbahen nga Socialdemokratët dhe të Gjelbrit. Por fakti që Lindneri e shpalli dokumentin strategjik, flet për tendencën e qeverisë gjermane. Një hap i tillë nuk bëhet pa marrëveshje. Ai nuk i shërben vetëm partisë së tij FDP, e cila, pas 56 vjetësh, po drejton për herë të parë Ministrinë e Financave.
Plani është vënë në qendër të kritikave të shumë ekspertëve dhe institucioneve vendase dhe ndërkombëtare. FMN tha përmes një deklarate se lëvizja për të frenuar borxhin në një kohë krize çmimesh energjie nuk është lëvizje e zgjuar dhe ajo do të godiste ekonominë gjermane duke e zhytur atë në recension.