Shumë zona të vendit vijojnë të përmbyten edhe këtë të mërkurë. Situata e rënduar meterologjike ka nisur që javën e kaluar dhe pritet të jetë kështu dhe në ditët në vijim. Dhe ajo çfarë ndodh është e përsëritur çdo sezon.
A do të marrë fund ndonjëherë kjo situatë, ose në terma më të zbutur a do të ketë një minimizim të përmbytjeve? Përgjigja është JO.
Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë shprehen se nuk ka fonde të mjaftueshme për të bërë një ndërhyrje kolosale që do të shmangte përmbytjet në të gjithë vendin, të cilat çdo sezon vjeshtë-dimër shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike në toka bujqësore, bagëti, biznese, etj.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2024 për sektorin bujqësor, Ministrja Anila Denaj, theksoi se e gjithë fatura është llogaritur në 700 milionë dollarë.
“Sikur të ndërhyhet sot do duheshin 700 milionë dollarë për parandalimin e përmbytjeve, për ta vënë në shina të gjithë situatën, të ndërhysh në rezervuare, diga, kanale, etj. S’kemi fonde për të parandaluar dhe e vetmja mundësi është emergjenca. Dëmi qe vjen nga zonat qe u goditen nga breshëri është 200 milionë lekë për qarkun Korçë, Berat, Elbasan”.
Ministria e bujqësisë parashikon ndërhyrjen në 4 projekte të reja për parandalimin e përmbytjeve gjatë vitit të ardhshëm ndërsa janë edhe 16 të tjera në vazhdim, të cilat do të financohen edhe gjatë 2024.
Ndërsa për objekte të mbrojtjes nga përmbytjet përgjatë vitit 2024 është parashikuar një investim prej 238 milionë lekësh.