
Projektbuxheti 2024, tema kryesore e këtyre ditëve ka të detajuar shpenzimet, por ajo çka është më e rëndësishme, vjeljen e të ardhurave për të siguruar arkën e shtetit.
Një zë i rëndësishëm i kësja të fundit është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ku të ardhurat nga kjo taksë llogariten të jenë rreth 211.2 miliardë lekë, 11.2 miliardë lekë ose 5.6% më shumë se pritshmëria për vitin 2023.
Por çfarë rendit Ministria e Financave dhe Ekonomisë si burim të rritjes së TVSH-së për vitin tjetër?
Konkretisht, MFE rendit si burime rritjen e të ardhurave nga TVSH që gjeneron rritja ekonomike shtesë dhe indeksi i çmimeve, rritjen e të ardhurave nga sektorë në ekspansion si turizmi, akomodimi dhe gjithë sektorët e tjerë të zinxhirit ekonomik që furnizojnë turizmin, si dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së nga sistemi i fiskalizimit dhe konsolidimi i faturimit elektronik.
Të ardhurat nga TVSH-ja në import gjatë periudhës Janar-Shtator të këtij viti janë realizuar në vlerën 107.7 miliardë lekë, me mosrealizim në masën 10.3% kundrejt planit të periudhës. Sipas MFE-së, të ardhurat nga TVSH në import janë impaktuar ndjeshëm nga ndryshimet e forta të kursit të këmbimit, të cilat kanë ulur bazën e llogaritjes së TVSH-së për mallrat e importit.
Rritja e TVSH-së për shkak të rritjes së volumeve të importit të mallrave nuk ka kompensuar uljen e ndjeshme të TVSH-së për shkak të zvogëlimit të bazës së llogaritjes së TVSH-së si rezultat i zhvlerësimit të euros dhe dollarit.