
Fermerët do të mund të përdorin produktet e magazinuara edhe ato në prodhim e sipër si kolateral për përfitim kredie.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, është hedhur për konsultim publik.
Sipas ministres, qëllimi i këtij projektligji është që të sigurojë sa më shumë financime në bujqësi, pagesa të shpejta dhe të drejta për fermerin për produktin bujqësor të ardhshëm dhe atë të magazinuar, si dhe krijimin e një sistemi kolaterali nëpërmjet produktit bujqësor të ardhshëm dhe atij të magazinuar.
Në këtë projektligj rregullohen në mënyrë specifike dy instrumentet financiare si “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm” dhe “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar”, procedura elektronike e lëshimit të këtyre dëftesave, regjistrimi i tyre në formë elektronike, si dhe në regjistrin e barrëve siguruese.
Denaj tha se procedura për lëshimin e këtyre dëftesave tregtare është parashikuar të jetë elektronike, në platformën shtetërore e-Albania, pa tarifa, duke kryer në të njëjtën kohë online edhe regjistrimin si barrë siguruese të këtyre dëftesave.
Këto para që merren garantohen me produktin e mbjellë dhe në rast se fermeri nuk e shlyen dot detyrimin, atëherë kreditori merr pronësinë e prodhimit bujqësor njësoj si kolateralet e pasurive të patundshme.
Të gjitha dëftesat do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ata pushojnë së ekzistuari në momentin kur femeri shlyen detyrimin tek kreditori ose në pamundësi të shlyerjes i dorëzon atij prodhimin bujqësor të vendosur si garanci.