
Mbi 77 mijë punonjës do të përfitojnë rritje page gjatë vitit 2024. Dokumenti i programit buxhetor afatmesëm 2024-2026 i rishikuar është botuar në Fletoren Zyrtare dhe detajon prioritetet për 3 vitet e ardhshme. Sipas dokumentit, gjatë ciklit afatmesëm 2024–2026, parashikohet vijimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët në arsim, shëndetësi, transport, bujqësi etj me standarde dhe cilësi si dhe financimi i disa politikave të reja të nisura përgjatë vitit 2023.
Konkretisht, synohet financimi i politikës së re të rritjes së pagave kryesisht në sektorët prioritarë si shëndetësia, arsimi, siguria, mbrojtja.
Për vitin 2023-2024, parashikohen të përfitojnë nga rishikimi i politikës së rritjes së pagave rreth 36 000 punonjës arsimor të Sistemit Arsimor Parauniversitar, ku për vitin 2024 parashikohet rritje e pagës me 23-36% të pagës bruto; Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, ku gjatë dy viteve do të realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26-34% të pagës bruto; Rreth 22 500 punonjës të sistemit me Grada që parashikohet të përfitojnë rritje të pagës për gradë me mesatarisht 30% për vitin 2024.