Çfarë do të ndodhë me koncesionin e pullave fiskale

6 February 2022, 19:48Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çfarë do të ndodhë me koncesionin e pullave fiskale

Kontrata e koncesionit të pullave fiskale, sipas konkluzioneve të grupit të punës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) përfundon më 6 shkurt 2023.

Në vijim të shqetësimeve të ngritura nga aktorët e tregut për përfundimin e afatit 10-vjeçar të kontratës dhe tarifave disa herë më të larta se vendet e BE-së që po paguajnë, MFE ngriti një vit më parë grupin e punës me përfaqësues të ministrisë, Drejtorisë së Doganave dhe në bashkëpunim me rekomandimet e dhëna nga juristët e Avokaturës së Shtetit për të zgjidhur ngërçin e trashëguar për miratimin e datës efektive të kontratës.

Kompania koncesionare “SICPA Security Solutions Albania” pretendon se afati i kontratës përfundon pas zbatimit të sistemit “Track and Trace” për produktet farmaceutike. Sipas tyre, kjo zgjat afatin e zbatimit edhe 10 vjet deri në plotësimin e elementit të dytë të kontratës.

Pretendimet e saj ligjore kompania do t’i dërgojë zyrtarisht në MFE në muajin gusht, periudhë e përcaktuar nga grupi i punës, si fillim i përfundimit të kontratës. Në anën tjetër, në këto gati 10 vjet të zbatimit të marrëveshjes koncesionare, tarifa e pullave fiskale është paguar vetëm nga bizneset e akcizës, ndryshe nga sa ishte parashikuar në marrëveshjen e miratuar në 2012-n që do të zbatohej edhe për sektorin e farmaceutikës.

Shqetësimet e bizneseve të mallrave të akcizës për tarifë të lartë përtej afatit të kontratës po përsëriten çdo vit. Edhe vitin e kaluar, 11 biznese vendase njëzëri kërkuan që MFE t’i lehtësonte nga barra e rëndë e tarifave të pullave fiskale, pas përfundimit të kontratës koncesionare që po zbatohej për këtë shërbim.

Çfarë do të ndodhë me koncesionin e pullave fiskale
Pulla fiskale

Pse nuk është ulur çmimi i pullave fiskale?

Kontrata është ligjërisht e blinduar për rishikimin e tarifave të pullave fiskale. Referuar kontratës së koncesionit në asnjë nen të saj nuk mundësohet rishikimi i çmimit të pullave fiskale. Tarifa e pullave fiskale është përcaktuar në partneritet mes koncesionarit dhe qeverisë së kaluar, pas analizave të volumit të të ardhurave të mallrave të akcizës të paraqitura nga qeveria shqiptare, ku mësohet se ka pasur deklarim fiktiv 30% më shumë të të ardhurave të akcizës. Para datës së mbylljes së kontratës që është 6 gushti 2022, sipas përcaktimeve të Financave, do të marren masat për ngritjen e grupit operacional, që do të marrë në dorëzim objektin, pjesën verifikuese të asetit, me qëllim kalimin e aseteve në pronësi të shtetit.

Sa fiton koncesionari

Të ardhurat e kompanisë Sicpa, sipas bilanceve të QKB-së për vitin 2012 ishin 7 mln euro dhe 8 mln euro për vitin 2013. Në total, deri në fund të 2020-s, të ardhurat e kompanisë janë 65 mln euro. Për periudhën 2010-2015, kompania ka raportuar humbje prej 4 mln euro, ndërsa në vijim ka rritur fitimet, duke kulmuar në 2019 me 1,7 mln euro. Për periudhën 2016-2019, kompania ka deklaruar fitime në totalin e 5 milionë eurove.

Në vitin 2010, qeveria e PD e drejtuar nga Sali Berisha, konkretisht ministri Financave, Ridvan Bode dha me koncesion si monopol edhe prodhimin e pullave fiskale, shërbim i cili deri në atë kohë realizohej me kosto 20 herë më të ulët nga një shtypshkronjë shtetërore.

Koncesioni mes Ministrisë së Financave dhe shoqërisë krejtësisht anonime SICPA Holding SA, filloi punën në vitin 2011 dhe rezultoi një barrë e rëndë për  buxhetin e shtetit dhe xhepat e qytetarëve dhe pa vlerë në luftën kundër kontrabandës.

Çfarë do të ndodhë me koncesionin e pullave fiskale
Ish-ministri i Financave Ridvan Bode dhe Sali Berisha

PS nuk mbajti premtimin

Deri në 2015, SICPA në Shqipëri ishtë formalisht një aktivitet me “humbje”. Sipas bilancit të kompanisë, ajo pret të dalë me fitime vetëm pasi qeveria shqiptare të zbatojë kontratën deri në fund, duke i dhënë asaj monopolin e prodhimit të pullave të sigurisë së ilaçeve, të cilin e mori në 2016.  Dhe pse kur erdhi në pushtet në 2013, qeveria “Rama” pati premtuar se do t’u jepte fund koncesioneve të Sali Berishës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo edhe për shkak se koncesionet janë kopsitur aq mirë në favor të privatit nga qeveria Berisha. Në 2016, qeveria bëri një marrëveshje të re, ku koncesionarit i kaloi edhe pulla fiskale e ilaçeve. Çmimet e ilaçeve për konsumatorët rriten me 2.4 për qind, për shkak se këto produkte tani pajisen me pullë fiskale. Sipas të dhënave zyrtare, xhiro vjetore që bëjnë kompanitë farmaceutike është 128 milionë euro. Nga kjo shumë, 3 milionë euro shkojnë automatikisht në llogaritë e firmës SICPA.

***

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video