“Emigrojnë” koncertet, si po i mbushin këngëtarët shqiptarë stadiumet jashtë vendit

5 Prill 2026, 12:26Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Edhe koncertet po “emigrojnë”. Këngëtarët shqiptarë po ndjekin logjikën e tregut. Publiku është zhvendosur jashtë, paratë janë jashtë dhe kërkesa është më e madhe jashtë. Ndaj edhe muzika po i ndjek ata…

Në hartën e re të qarkullimit kulturor shqiptar, koncertet e këngëtarëve po ndjekin të njëjtën rrugë si njerëzit. Po zhvendosen atje ku është diaspora. Rreth 2.25 milionë shqiptarë jetojnë sot jashtë vendit, gati gjysma e popullsisë totale shqiptare.

Italia, Gjermania, Zvicra, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar përbëjnë bërthamën e këtij komuniteti. Pikërisht aty ku janë të ardhurat më të larta, stabiliteti ekonomik më i madh dhe një gatishmëri më e fortë për të shpenzuar për përvoja që lidhen me identitetin.

Kjo shpjegon pse gjithnjë e më shumë artistë shqiptarë po e ndërtojnë kalendarin e tyre duke nisur nga diaspora dhe jo nga Tirana. Një koncert jashtë vendit nuk ofron vetëm publik më të madh, por edhe të ardhura më të parashikueshme. Çmimet e biletave janë më të larta, sallat më të mëdha dhe rreziku financiar më i ulët.

Një shfaqje e një artisti të njohur shqiptar jashtë vendit paguhet zakonisht disa mijëra euro për një mbrëmje, shpesh më shumë sesa në tregun vendas, ku eventet janë sezonale dhe shpesh varen nga sponsorë apo festa publike.

Kulmi simbolik i këtij realiteti u pa kur Elvana Gjata mbushi “Lanxess Arena” në Këln me rreth 20 mijë spektatorë. Një shifër që vështirë se imagjinohet brenda Shqipërisë, por që në diasporë rezultoi jo vetëm e arritshme, por edhe e qëndrueshme si model. Kjo nuk u pa vetëm si sukses artistik që lidhej me një artist në veçanti, por demonstrim i një tregu real që ekziston dhe funksionon.

Në këtë pikë hyjnë aktorët kyç që janë agjencitë turistike. Ato e kanë kuptuar se koncerti është bërë një arsye udhëtimi po aq e fortë sa plazhi apo blerjet. Paketa që përfshijnë biletën e koncertit, transportin dhe hotelin po shiten gjithnjë e më shpesh, sidomos për evente të mëdha të organizuara në qytete ku është e përqendruar diaspora. Koncerti po kthehet në produkt turistik, ndërsa muzika po shërben si magnet që lëviz njerëz, para dhe shërbime.

Në një bisedë me “Eventur Travel”, e cila ushtron aktivitetin e saj prej disa vitesh në fushën e organizimit të udhëtimeve për arsye koncertesh, kërkesa për këtë lloj produkti është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke kaluar nga një treg i kufizuar dhe sporadik, në një segment gjithnjë e më të strukturuar. Sipas tyre, klientët nuk udhëtojnë më vetëm për destinacionin, por për përvojën e plotë që ofron eventi, ku koncerti është pika qendrore që justifikon gjithë udhëtimin.

Në shumë raste, rezervimet bëhen sapo shpallet data e koncertit, çka tregon një sjellje konsumatore më të planifikuar dhe gatishmërinë për të shpenzuar më shumë për përvoja që lidhen me identitetin dhe argëtimin. Në ofertat e publikuara prej tyre shfaqen paketa për evente muzikore në vende si Milano, Vjena apo qytete të Gjermanisë, ku çmimet zakonisht variojnë nga rreth 150 deri në 300 euro për person, në varësi të artistit dhe destinacionit.

Këto paketa përfshijnë transportin, akomodimin dhe në shumë raste edhe biletën e koncertit, duke e kthyer eventin në qendrën e gjithë përvojës. Ajo që bie në sy është se promovimi nis menjëherë sapo shpallet një koncert i madh në Europë, duke synuar drejtpërdrejt publikun shqiptar që është i gatshëm të udhëtojë për artistët e preferuar.

Në këtë mënyrë, koncerti nuk është më një aktivitet që ndodh aty ku je, por një arsye për të lëvizur, duke krijuar një fluks të organizuar udhëtimesh që ndjek kalendarin e eventeve dhe jo sezonin tradicional turistik.

Nga pikëpamja ekonomike, ky është një qarkullim interesant. Të ardhurat nuk kalojnë më vetëm në formën e remitancave drejt Shqipërisë, por edhe në drejtim të kundërt. Kultura prodhohet në Shqipëri, por konsumohet jashtë. Muzika shqiptare po funksionon si mall eksporti me vlerë të shtuar. Përfitues nuk janë vetëm këngëtarët, por edhe menaxherët, teknikët, organizatorët, kompanitë e transportit dhe bizneset e mikpritjes në vendet pritëse.

Megjithatë, sipas agjencisë, shqiptarët nuk udhëtojnë vetëm për këngëtarë shqiptarë, por edhe për artistë të huaj. Emra si Bad Bunny, Imagine Dragons, ColdPlay etj., joshin udhëtimet  e tyre të viteve të fundit.

Nga ana sociale, koncerti në diasporë është shumë më tepër se argëtim. Ai shërben si pikë takimi komunitare. Një hapësirë ku shqiptarët e brezave të ndryshëm ndihen pjesë e së njëjtës histori. Kjo e rrit gatishmërinë për të shpenzuar.

Një familje emigrantësh në Gjermani apo Zvicër ka më tepër të ngjarë të blejë bileta, të udhëtojë disa orë dhe të qëndrojë një natë në hotel, sepse përvoja nuk matet vetëm me muzikën, por me përkatësinë.

Edhe për artistët më të rinj, diaspora po shndërrohet në trampolinë. Një turne i vogël në disa qytete europiane sjell jo vetëm të ardhura, por edhe profesionalizim të industrisë. Kontrata më të qarta, planifikim afatmesëm, komunikim digjital me publikun dhe standarde teknike më të larta. Në mungesë të një tregu të madh të brendshëm, diaspora po luan rolin që dikur e kishin festivalet kombëtare.

Pse “emigrojnë” koncertet?

Ndonëse pati një lëvizje interesante dy vitet e fundit me evente të përmasave ndërkombëtare, me artistë të mirënjohur, Shqipëria mbetet treg i vogël dhe sezonal, kryesisht i fokusuar në verë dhe zona turistike. Jashtë vendit, aktivitetet janë gjatë gjithë vitit dhe në shumë qytete njëkohësisht.

Kjo u jep artistëve më shumë mundësi për të mbajtur një kalendar të qëndrueshëm koncertesh.

Alban Skënderaj do të mbajë koncertin e tij “Motiv” në “Porsche Arena” në Stuttgart, Gjermani, më 16 dhe 17 maj 2026. Koncerti ka shënuar interes rekord, me 50% të biletave të natës së dytë të shitura brenda dy orëve, duke vazhduar suksesin e tij pas koncerteve në Milano dhe Prishtinë. Bileta standarde nis nga 40-80 euro dhe arrin në mbi 150 euro për në zonat më elitare të stadiumit.

Kapaciteti i tyre raportohet të jetë 12-15 mijë spektatorë. Biletat për natën e parë të koncertit u shitën totalisht që në janar, ndërsa agjencitë turistike shqiptare që punojnë me paketat e udhëtimeve për koncerte raportojnë që ka ende interes për natën e dytë, jo vetëm nga shqiptarët brenda Shqipërisë por edhe ata që jetojnë në qytete pranë. Sipas platformës gjermane “Eventim.de”, nata e dytë e koncertit të Alban Skënderaj ruan edhe disa bileta, të cilat nisin nga 60.15 euro dhe arrijnë deri në 115.15 euro.

Në të njëjtën linjë me këtë model, edhe artistë të tjerë shqiptarë po tentojnë të replikojnë formatin e koncerteve në arena të mëdha europiane, duke synuar të njëjtin publik të konsoliduar të diasporës.

Elvana Gjata pritet të mbajë koncert në “Unipol Forum” në Milano më 10 maj 2026, e njëjta arenë ku performoi Alban Skënderaj. Kapaciteti i kësaj salle arrin deri në rreth 12-15 mijë spektatorë në konfigurim koncerti. Njoftimi për koncertin ka gjeneruar interes të menjëhershëm në rrjetet sociale dhe në platformat e shitjes së biletave, ndërsa çmimet e tyre variojnë në intervale të ngjashme me evente të këtij niveli, duke nisur nga rreth 40-50 euro dhe duke arritur mbi 120 euro për zonat më pranë skenës.

Ky është një nga rastet më të qarta që artistët shqiptarë po synojnë të mbushin arena të mëdha jashtë vendit, duke kaluar nga koncertet në klube apo evente sezonale drejt një formati më të strukturuar dhe me të ardhura më të përqendruara në një natë të vetme.

Në të njëjtën kohë, artistë si Dafina Zeqiri dhe Luiz Ejlli nuk po synojnë ende arena të vetme të këtyre përmasave, por po operojnë me një strategji të shpërndarë në disa qytete europiane. Ata zhvillojnë ture koncertesh në Itali, Gjermani, Zvicër dhe vendet nordike, me evente që shpesh mbushin klube të mëdha apo salla me disa mijëra persona. Edhe pse kapaciteti për event është më i ulët krahasuar me një arenë, në total këto ture gjenerojnë volum të lartë të ardhurash dhe mbajnë artistët aktivë gjatë gjithë vitit.

Një prirje tjetër që po vihet re është përfshirja e artistëve shqiptarë në festivale ndërkombëtare ose evente të përbashkëta në diasporë, ku marrin pjesë emra si Era Istrefi. Këto formate nuk janë gjithmonë të matshme me kapacitete të një artisti të vetëm, por shpesh mbledhin mijëra pjesëmarrës dhe krijojnë një audiencë më të gjerë, përtej publikut tradicional shqiptar.

Ndryshe nga koncertet e tipit “arena”, që kërkojnë muaj të tërë përgatitje dhe mbështeten në shitje masive biletash, prania ndërkombëtare e artistëve shqiptarë në vitin 2026 mbetet e lidhur kryesisht me një rrjet eventesh të diasporës, të shpallura në rrjete sociale dhe të organizuara në mënyrë të fragmentuar, zakonisht në klube apo hapësira më të vogla.

Ky model shihet qartë edhe në raste konkrete, si koncerti i paralajmëruar i Kidës dhe 2TON në Itali më 10 prill 2026, i promovuar online nga organizatorë eventesh, ku bileta variojnë nga 25 deri në 30 euro dhe me fokus në rezervime tavolinash, si edhe në performancat e Kidës në evente të formatit “Albania by Night” në qytete të ndryshme europiane, ku artistët ngjiten në skenë për publikun e diasporës në një atmosferë që i ngjan më shumë jetës së natës sesa një koncerti të mirëfilltë turneu.

Në thelb, ky është një model që funksionon më shumë si ekonomi eventesh të shpërndara sesa si industri e strukturuar tureve muzikore ndërkombëtare.

Ekspertët sugjerojnë se, jashtë Tiranës, konkretisht në diasporë, ekonomia e koncertit funksionon më thjesht, është më e sigurt dhe më fitimprurëse.

Së pari është madhësia reale e publikut. Në Tiranë, tregu është i vogël dhe i ngopur shpejt. Edhe artistët më të njohur e kanë të vështirë të mbushin disa herë radhazi salla të mëdha me bileta të paguara. Në diasporë, vetëm në Itali dhe Gjermani jetojnë qindra mijë shqiptarë. Kjo do të thotë publik i mjaftueshëm për një koncert të madh pa u varur nga sezoni, moti apo fundjava turistike.

Së dyti është fuqia blerëse. Një biletë 40 apo 60 euro në Tiranë është ende e shtrenjtë për një pjesë të madhe të publikut. Në Gjermani apo Zvicër, e njëjta shumë është e përballueshme dhe shihet si shpenzim normal për argëtim. Kjo i lejon organizatorët të vendosin çmime më të larta dhe artistët të paguhen më mirë, pa e frikësuar publikun.

Një element shumë praktik është rreziku financiar. Në Tiranë, koncertet shpesh varen nga sponsorë, bashki, moti ose nga shitja e minutës së fundit. Në diasporë, biletat shiten online muaj përpara. Organizatori e di paraprakisht sa njerëz do të vijnë dhe sa para do të qarkullojnë. Kjo e ul ndjeshëm pasigurinë dhe e bën biznesin më të parashikueshëm.

Pastaj është infrastruktura. Qytetet europiane kanë salla të standardizuara, me akustikë, siguri dhe logjistikë të testuar. Në Tiranë, kapacitetet janë të kufizuara dhe shpesh koncertet e mëdha bëhen në hapësira të improvizuara, që rrisin kostot dhe problemet organizative.  Një sallë në Këln apo Milano është gati për shfaqje të tilla çdo fundjavë, Tirana jo gjithmonë.

Ka edhe një faktor social. Për diasporën, koncerti shqiptar është ngjarje komunitare. Njerëzit udhëtojnë nga qytete të tjera, takohen me miq, planifikojnë fundjavën rreth eventit. Në Tiranë, publiku është më i shpërndarë dhe konkurrenca me jetën e përditshme është më e fortë. Koncerti duhet të konkurrojë me kafenë, daljen spontane, dasmën, apo thjesht lodhjen.

Një arsye tjetër është strategjia e artistëve. Koncertet jashtë vendit rrisin imazhin profesional. Një sallë e mbushur në Gjermani apo Zvicër ka më shumë peshë simbolike sesa një koncert i vetëm në Tiranë. Ajo shitet më lehtë si sukses, si turne, si histori rritjeje artistike./Marrë me shkurtime nga Monitor


Video